Shpërthen Le Pen – “BE do të shpërbëhet, të mbrojmë Francën nga globalizimi”
Kandidatja franceze për presidente Marine Le Pen, tha se Bashkimi Europian është drejt shpërbërjes dhe se ajo do të mbrojë Francën nga globalizimi.
Gjatë një fjalimi elektoral, liderja e partisë së ekstremit të djathtë synonte nxitjen e mbështetësve të saj katër javë përpara votimit.
“Bashkimi Europian do të përfundojë për shkak se njerëzit nuk e duan më. Ka ardhur koha për të mposhtur globalistët”, tha Marine Le Pen duke akuzuar rivalët kryesorë, Emmanuel Macron dhe Francois Fillon, për politikat e tyre pro-BE dhe pro-tregjeve financiarë.
Sondazhet tregojnë se Le Pen do të ketë performancë pozitive në raundin e parë më 23 Prill, por do të humbasë më datë 7 Maj ndaj Macron.
Një gjë që shkakton dyshim është numri i madh i votuesve të pavendosur, gjë që e bën rezultatin të paparashikueshëm.
Kundërshtimi ndaj Bashkimit Europian dhe valutës së përbashkët tërheq votuesit skeptik ndaj globalizimit. Megjithatë, kjo përbën gjithashtu një pengesë, në një vend ku shumica e njerëzve kundërshtojnë kthimin te franga.
Le Pen është përpjekur të zbusë kritikat mbi këtë. “Euro do të jetë hapi i fundit, për shkak se do të presim edhe rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani”, tha ajo.
Sondazhet e publikuara nga mediat lokale tregojnë se 72% e votuesve francezë nuk dëshirojnë zëvendësimin e euros.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.