“Shpërthen” transporti i udhëtarëve, Mema: Kemi vite që s’na dëgjojnë për problemet që kemi. Nisim protestat
“Në 2013 na thatë investoni. Çdo njëri nga ju sa investim keni bërë për shoqërinë. Kockat po na i gërryejnë, atëherë çfarë të presim, të na shkelin?”.
Me tone të ashpra, Shoqata e Transportit Kombëtar Interurban ka denoncuar lulëzimin e transportit të paligjshëm të udhëtarëve dhe indiferencën e institucioneve për të zgjidhur këtë problematikë të ngritur herë pas here.
“Te Shqiponja është gangrene, te Zogu i Zi 100 vetura punojnë Tiranë –Shkodër, te 21 dhjetori akoma vazhdon transporti i paligjshëm. Tirana është vatra e këtij transporti. Policia thotë që po punojmë, ndërkohë asgjë nuk është bërë. Terminali një gangrenë e paparë. Kryetari i bashkisë premtoi që do bëhej terminali, ka 3 vjet as ka filluar dhe as ka ndërmend të fillojë. Një kryeqytet pa terminal”.
Gjithashtu, shqetësim është ngritur edhe për shtimin e orareve të linjave.
“310 linja ishin, ndërkohë janë bërë 460 prapë”.
Në këto kushte, operatorët e transportit ndërqytetës kanë kërkuar takim urgjent me ministren e re të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pasi në të kundërt do të nisin protestat.
“Nga premtimet që na u bënë për vazhdimin e reformës së transportit dhe për heqjen e transportit të paligjshëm, organet, ministria kanë punuar shumë pak dhe ne jemi zhgënjyer. Ne nuk do të ndalojmë së kërkuari me të gjitha mjetet demokratike. E fundit dihet, është ajo që po bëjnë studentët”.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.