Shpërthen vullkani në Zelandën e Re – Shënohen 5 viktima (VIDEO)
Mediat e huaja kanë raportuar mbi shpërthimin e një vullkani në Zelandën e Re duke shkaktuar vdekjen e të paktën pesë personave.
Sipas lajmeve dhe policisë lokale janë vënë re turistë duke ecur brenda kraterit të vullkanit të ishullit të Bardhë, vetëm disa momente para shpërthimit.
Policia ka bërë me dije se janë shpëtuar 23 persona, por paralajmëroi se kushtet e vështira kanë penguar operacionin. Në shpëtim ka marrë pjesë dhe ushtria e Zelandës së Re.
Ishulli i Bardhë, i njohur gjithashtu si Whakaari, është një nga vullkanet më aktive të vendit. Pavarësisht kësaj, ishulli në pronësi private është një destinacion turistik brenda të cilit zhvillohen shpesh ture dhe fluturime për të huajt.
— Michael Schade (@sch) December 9, 2019
Në një konferencë shtypi, Zëvendës Komisioneri i Policisë John Tims tha se për shkak të rreziqeve, shërbimet e urgjencës nuk ishin në gjendje të hynin në ishull. “Prandaj, është ende e paqartë sesa persona mundet ende të ndodhen nën rrezik për jetën pasi janë regjistruar rreth 50 njerëz prezent në ishull”. (BBC)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.