Shpiket hologrami më i hollë në botë – Do të gjejë aplikim edhe tek celularët
Një ekip studiuesish australianë dhe kinezë pranë Universitetit RMIT të Melburnit kanë shpikur hologramin më të hollë në botë, me potencialin për të ndryshuar mënyrën se si e shohim teknologjinë.
I quajtur “nano-hologram”, ai ndryshon nga arritjet e tjera në këtë fushë pasi mund të shihet pa nevojën e syzeve 3D dhe është vetëm 25 nanometra i trashë, 1000 nanometra më pak se floku i njeriut.
Sipas grupit, hologrami është i thjeshtë për t’u prodhuar dhe krijon potencialin për të patur imazhe që dalin mbi ekranet e tanishme 2D, pra edhe në celularët tanë.
“Hologramet e gjeneruara nga kompjutrat janë shumë të mëdha për pajisjet tona elektronike, por ky hologram shumë i hollë mposht barrierën e madhësisë. Hologramet 3D mund të paraqesin një sërë të dhënash që nuk mund të shfaqen më së miri në një celular”, thotë profesori Min Gu.
Holografia 3D ka potencialin të ndryshojë një sërë industrish si arsimi, ruajtja e të dhënave, mbrojtja dhe siguria kibernetike. Ky studim e afron këtë lloj revolucioni më pranë.
Hapi i radhës sipas studiuesve është të zhvillohet një copë e hollë filmi që të vendoset mbi ekranin LCD për të krijuar shfaqjen 3D.
Më pas, përdorimi i hologrameve mund të na sjellë një pafundësi aplikacionesh dhe përdorimesh që as nuk mund t’i imagjinojmë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.