Shqetësim për linjat e autobusëve, Shoqata: Gjiknuri po licencon 43 linja të panevojshme, duhen bisedime
Pavarësisht se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë anuloi udhëzimin e ish-ministrit, Besnik Dervishi për shtimin e 80 linjave të reja të transportit interurban, ky dikaster po planifikon licencimin e 43 prej tyre, çka cilësohet si abuzive nga Shoqata e Transportit Kombëtar Interurban.
Përmes një daljeje për media, kryetari Kujtim Mema tha se linjat e reja duhet të miratohen në bashkëpunim me shoqatën, duke rënë dakord nëse janë të nevojshme apo jo.
Shoqata shprehu shqetësimin edhe për mungesën e terminaleve të autobusëve, duke kritikuar krerët e bashkive të cilët nuk kanë asnjë projekt në këtë drejtim.
Ndërkaq, për të disatën herë u ngrit shqetësimi i transportit të paligjshëm, i cili sipas Memës dëmton konkurrencën e ndershme.
Sipas tij janë 250 automjete që ofrojnë shërbim të palicencuar, ndërkohë që institucionet nuk marrin asnjë masë penalizuese kundrejt tyre.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.