Shqetësimet e biznesit – Këshilli i Investimeve, anketë mbi problemet e sipërmarrjes
Shqetësimet që has biznesi gjatë aktivitetit ekonomik do të jenë edhe pjesë e shqyrtimit nga qeveria e re që pritet të nisë punën në vjeshtë të këtij viti.
Sekretariati i Këshillit të Investimeve ka hapur një anketim për bizneset shqiptare mbi problematika që ato hasin, kryesisht në lidhje me kontrollin tatimor, rimbursimin e TVSH-së dhe informalitetin.
Ky anketim vjen si propozim i anëtarëve të Këshillit të Investimeve për të mundësuar një debat më të përditësuar mbi progresin e problematikave kryesore të biznesit gjatë 2015 – 2016.
Qëllimi i anketimit është të bëjë një krahasim me gjetjet e anketave të mëparshme të Këshillit të Investimeve mbi kontrollin tatimor, rimbursimin e TVSH-së dhe informalitetin dhe evidentuar problematika që vazhdojnë të jenë shqetësim i sektorit privat.
Për më tepër, ofrohet mundësia nëpërmjet anketimit për të rekomanduar zgjidhje praktike kundrejt këtyre problematikave.
Gjetjet dhe sugjerimet e rezultuara nga ky pyetësor do të diskutohen në mbledhjet e ardhshme të Këshillit të Investimeve. Rekomandimet e miratuara nga Këshilli i Investimeve do t’i paraqiten qeverisë shqiptare për konsiderime të mëtejshme.
Afati i plotësimit të pyetësorit është deri në datën 30 Shtator 2017.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.