Shqipëri-Kosovë, rënie në lëvizjet e njerëzve por “bum” në shkëmbimin e mallrave! Çfarë ka ndodhur me tregtinë në korrik 2018
Statistikat e INSTAT për lëvizjen e njerëzve tregojnë një trend rënës në numrin e hyrjeve nga Kosova, megjithatë të dhënat e shkëmbimeve tregtare dëhsmojnë për një panoramë tjetër.
Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme për muajin korrik 2018, rezulton se Shqipëria ka shënuar një rritje me rreth 1 miliard lekë në eksportin drejt Kosovës, kundrejt korrikut të vitit 2017. Në korrik të vitit 2017, eksportet drejt Kosovës ishin në vlerën e 1 miliard e 895 milionë lekë ndërsa në korrik të viti 2018, eksportet shënuan vlerën 2 miliard e 816 milionë lekë.
Edhe në rang 7 mujori, tendenca është e njëjtë. Në periudhën janar-korrik 2017 eksportet drejt Kosovës arritën vlerën 11 miliardë e 871 milion lekë ndërsa në periudhën janar-korrik 2018, vlera u rrit në 13 miliardë e 989 milion lekë., pra pothuajse 2 miliardë lekë më shumë, raporton portali ekonomik SCAN.
Importet
Edhe tendenca e importeve nga Kosova është në rritje! Referuar të dhënave të INSTAT, gjatë muajit korrik 2018 Shqipëria importoi 928 milionë lekë mallra nga Kosova kundrejt 693 milionë lekëve që importoi në korrik 2017. Edhe në rang 7 mujori shifrat e importeve kanë shënuar rritje.
Në periudhën janar-korrik 2018 Shqipëria importoi nga Kosova 4 miliard e 784 milionë lekë mallra kundrejt 4 miliard e 525 milionë lekëve të së njëjtës periudhë të një viti më parë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.