Shqipëria del nga lista “gri” – Këshilli Europian vlerëson se ka respektuar direktivat për shmangien e taksave
Më 12 Mars të këtij viti, ministrat e financave të Bashkimit Europian vendosën ta përfshijnë Shqipërinë në listën gri të juridiksioneve jo-bashkëpunuese me taksat, duke mos e përfshirë në listën e zezë, por duke e lënë në monitorim, së bashku me disa shtete të tjera, si Zvicra, Turqia, Serbia apo edhe Bosnje Hercegovina ndër shtetet europiane.
Por, grupi i taksimit të biznesit në Këshillin Europian, në një raport të publikuar së fundmi rekomandon që Shqipëria të hiqet nga lista gri, pasi i ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe kriteret e kërkuara. Më 9 Gusht të këtij viti Shqipëria u bë anëtarja e 133-të e kornizës përfshirëse për shmangien e taksave të OECD, e njohur shkurt si BEPS. Me përfshirjen në listën e OECD, Shqipërisë tanimë i lejohet të marrë pjesë në diskutimet e Organizatës në rishikimin e sistemit ndërkombëtar të taksave.
Kjo gjë ka bërë që më 13 shtator të këtij viti, Këshilli Europian të vendosë heqjen e Shqipërisë nga seksioni 3.1 e më pas të vendosë ta heqë atë tërësisht nga lista, së bashku me Serbinë, Zvicrën, Kosta Rikën dhe Mauritius. Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e Enjte, kur parashikohet të publikohet lista e re e juridiksioneve jo-bashkëpunuese, pas mbledhjes së programuar të këshillit. Vendimi ditën e enjte do të merret pa debat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.