Shqipëria, e 7-ta në Europë – Eurostat: Burimet e rinovueshme, 34.9% të prodhimit
Burimet e rinovueshme zënë 34.9% të prodhimit të përgjithshëm energjetik të Shqipërisë.
Të dhënat e publikuara nga zyra e statistikave e Bashkimit Europian i referohen vitit 2015, dhe shërbejnë si bazë krahasuese me vendet e tjera të Europës dhe të rajonit.
Bashkimi Europian ka vendosur si objektiv të rëndësishëm që për brenda vitit 2020, burimet e rinovueshme të prekin nivelin e 20% të prodhimit të përgjithshëm energjetik.
Aktualisht, kjo normë fiksohet në 16.7% për vendet e unionit, ndërkohë që në vitin 2004 fiksohej në vetëm 8.5%.
Diferencat mes vendeve anëtare, pro edhe vendeve të tjera të përfshira, si; Shqipëria, Mali i Zi, Turqia, Norvegjia, Islanda, apo Maqedonia, janë tepër të theksuara.
Ndër 34 vendet e analizuara, Shqipëria është e 7-ta në listën e vendeve që kanë një përqindje të lartë të burimeve të rinovueshme të energjisë, si dhe një ndër 15 vendet që e ka normën mbi 20%, që është edhe objektivi i Bashkimit Europian.
Eurostat vlerëson se në vitin 2004, kjo normë fiksohej në 28.1% të prodhimit total, dhe se është rritur gradualisht me kalimin e viteve.
Kjo normë preku rekordin në vitin 2012, kur arriti në 35.2% të prodhimit të përgjithshëm. Eurostat thekson se, objektivi i Shqipërisë është që norma të prekë 38% brenda 2020-ës.
Vendet europiane që kanë normën më të ulët të burimeve të rinovueshme të energjisë janë: Luksemburgu, Malta dhe Holanda me 5, 5 dhe 5.8% respektivisht. Në vend të parë ndërkohë renditen Norvegjia dhe Islanda, me 69.4 dhe 70.2% respektivisht. Sa i përket rajonit, Mali i Zi udhëheq, me 43.1%.
Burimet e energjisë së rinovueshme përfshijnë atë diellorë, fotovoltaike, hidrike, të erës, energjinë gjeotermike dhe të gjitha format e biomasës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.