Shqipëria i heq vizat Kinës! E nxjerr nga lista e vendeve që duhet të aplikojnë për vizën “C”. Arsyet
Shtetasit kinezë që duan të vizitojnë Shqipërinë nuk do të kenë nevojë për të aplikuar për vizë. Aktualisht, të huajt nga Republika Popullore e Kinës mund të hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë për qëndrim afatshkurtër, me dokumentin pasaportë për periudhën Mars-Tetor.
Por me ndryshimet e reja ligjore që janë publikuar në Fletoren Zyrtare, listës së shteteve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë dhe vetëm me pasaportë i është shtuar shteti “Kinë,Republika Popullore”
Një prej ndryshimeve ligjore është edhe ai që e heq Kinën në listën e shteteve që duhet të aplikojnë për vizë dhe të paguajnë edhe tarifën përkatëse.
Viza e tipit “C” është qëndrim afatshkurtër, që jepet për shtetasit e huaj që kërkojnë të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, duke filluar nga data e hyrjes së parë. Kjo vizë lëshohet me një, dy ose shumë hyrje.
Ky vendim vjen në një kohë kur Shqipëria po njeh një fluks të konsiderueshëm vizitorësh nga Kina,çështje që është zgjidhur më herët me rregullimin ligjor që parashikonte hyrjen e tyre vetëm me pasaportë për periudhën mars-tetor.
Po ashtu,ky vendim vjen në një kohë kur Shqipëria po ndërmerr një serë ndryshimesh për të liberalizuar tregun e punës në Shqipëri për të huajt në mënyrë që të plotësojë nevojat që ka kryesisht sektori prodhues.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.