Shqipëria, kontrabandë kondicionerësh – Industria greke apel qeverisë, miliona euro humbje
Shqipëria është një prej vendeve që po kontrabandon drejt Greqisë, Bullgarisë apo Maqedonisë, pajisje, e sidomos gaz kondicionerësh. Këtë gjë e pretendon Industria greke e kondicionerëve dhe gazit të kondicionerëve. Përfaqësuesit e kësaj industrie në vendin fqinj, i kanë dërguar një letër qeverisë së vendit, duke kërkuar që të merren masa në këtë drejtim, pasi sipas tyre, nuk janë vetëm ata që humbasin, por edhe vetë arka e shtetit, me kosto në të paktën 20 milionë euro, në formë taksash dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, të munguar.
Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia, së bashku me Bullgarinë janë vendet nën akuzë nga Greqia. Duke shfrytëzuar faktin e mos respektimit të rregullave të përbashkëta europiane, produktet që vijnë nga këto vende kanë kosto më të lirë dhe më pak kontrolle.
Pasi futen ilegalisht në kufijtë grekë, këto produkte konkurrojnë pandershmërisht me industrinë vendase, çka ka bërë që këta të fundit të ngrenë zërin. Ky lloj trafiku bëhet në shumë mënyra, si nëpër kontejnerët e mëdhenj, tokësor apo detarë, por edhe me autobusë e deri me makina të vogla, apo varka.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.