Shqipëria, lider në energji – Raporti i “WEF”, më mirë se të gjitha vendet e rajonit
Shqipëria klasifikohet ndër ato vende lider në botë në drejtim të energjisë së dhe gatishmërisë për t`u zhvendosur drejt një energjie më të qendrushme. Të paktën këtë thotë Forumi Ekonomik Botëror në raportin më të fundit, me titull: “Nxitja e tranzicionit të efektshëm të energjisë”.
Ky raport është i pari në këtë formë dhe është pasardhës i serive të indeksit të performancës arkitekturore në energji. Në këtë indeks, Shqipëria renditej e 25-ta në botë. Këtë performancë, së bashku me elementë të tjerë të shtuar në raportin e ri, vendi ynë e ka ruajtur edhe këtë vit. Siç duket qartë nga grafiku, Shqipëria klasifikohet në zonën e gjelbër, ku janë vendet lider në botë. Grafiku tregon se, gatishmëria e Shqipërisë drejt tranzicionit energjetik fiksohet në 56%.
Edhe performanca e sistemit fiksohet në rreth 62%, bindshëm mbi fqinjët e tjerë rajonalë. Në të dy indikatorët, Shqipëria është bindshëm më mirë se fqinjët, duke udhëhequr rajonin në këtë drejtim.
Vendet që klasifikohen në këtë kategori janë në pararojë sa i përket qendrueshmërisë ambientale, emetimit të gazrave të dëmshëm, por edhe zhvillimit ekonomik, rritjes, sigurisë apo kostove më të ulta të energjisë për biznesin dhe rritje të cilësisë së furnizimit me energji. Të gjitha këto tregojnë se Shqipëria ka një potencial të madh energjetik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.