Shqipëria më tërheqëse për biznes – Rriten me 27% turistët sipërmarrës, “fundoset” turizmi shëndetësor
Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave sa i përket lëvizjes së shtetasve japin një panoramë më të qartë të dinamikës së turizmit në vendin tonë gjatë vitit të kaluar. Përveçse flasin për një rritje të ndjeshme të turistëve të huaj, me 16% në një vit, të dhënat sinjalizojnë edhe “fundin” e turizmit shëndetësor, si edhe lulëzimin e turizmit të sipërmarrjes. Pra, në 12 muajt e vitit që sapo lamë pas, numri i atyre që kanë vizituar vendin për trajnime shëndetësore ka pësuar një rënie me 56.5%, nga 634 në vetëm 276 shtetas.
Burimi: Instat
Gjithsesi, duhet sqaruar fakti se një pjesë e mirë e turizmit shëndetësor në vendin tonë nuk pasqyrohet në shifra duke llogaritur faktin se ky lloj turizmi shfrytëzohet në masë nga emigrantët shqiptarë jashtë, si dhe kryesisht për shëndetin oral. Sa i përket hyrjeve për qëllime biznesi apo profesionale, rritja është e ndjeshme, në 27.2%, tregojnë të dhënat e Instat.
Nga 68527 individë në vitin 2017, kjo shifër u rrit në 87177 në vitin 2018, çka tregon qartë përmasat e progresit. Kjo ecuri është një tregues i mirë i faktit se, Shqipëria po bëhet më tërheqëse për qëllime biznesi apo edhe profesionale, sidomos në sektorë të caktuar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.