Shqipëria merr “dritën jeshile” – 71 milionë euro për programin IPARD
Është përmbyllur me sukses misioni auditues i DG AGRI që vizitoi Shqipërinë në datat 24-27 shtator 2018 . Në përfundim të procesit të auditimit, përfaqësuesit e Misionit konfirmuan për strukturat përgjegjëse (struktura menaxhuese në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe ajo Zbatuese në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural), përmbushjen në nivel të kënaqshëm të kushteve të vendosura në Marrëveshjen e Financimit dhe gatishmërinë për fillimin e zbatimit të tij.
Përfaqësuesit e KE do t’i propozojnë nivelit vendimmarrës dhënien e opinionit pozitiv për çeljen e thirrjes për aplikim për përfitimin e granteve nga fermerët dhe bizneset e interesuar.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, zyrtarisht miratimi pritet të mbërrijë në fund të tetorit duke mundësuar dhe çeljen e thirrjes për aplikime për vlerën e financimit që në total shkon 71 milionë Euro nga buxheti i Komisionit Europian dhe bashkëfinancim 23 milionë Euro nga buxheti i shtetit shqiptar, i shtrirë në 5 vite.
Programi IPARD është miratuar me vendim të Komisionit Evropian datë 20 Korrik 2015.
Ky program synon të mbështesë fermerët, sipërmarrjet ekonomike bujqësore, përfshirë kooperativat, stabilimentet e përpunimit ushqimor, personat fizik ose juridik mikro-sipërmarrjet dhe sipërmarrjet e vogla private jo-bujqësore të kryejnë investime për prodhimin dhe përpunimin në sektorin e qumështit, të mishit, fruta-perimeve, bimëve të mbrojturave dhe vreshtave. Gjithashtu programi synon të mbështesë Investimet në Akuakulturë, Turizëm Natyror dhe Rural dhe Prodhim të Energjisë së Rinovueshme. Treguesit dhe objektivat parashikojnë se në përfundim të këtij programi do të mbështeten afërsisht 750 projekte investimi dhe do të krijohen rreth 800 vende pune.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.