Shqipëria në hartën e riskut 2020 – Në zonën portokalli, politika ka nxitur përkeqësimin më të madh në Europë
“MARSH JLT”, një prej firmave më të mëdha në botë të riskut dhe sigurimit, ka publikuar hartën botërore të rrezikut politik 2020. Harta analizon më shumë se 200 shtete të botës dhe territore. Risku i përgjithshëm bazohet mbi 3 kategori risku: politika, ekonomia dhe rreziqet operacionale, si në terma afat-shkurtër, edhe në terma afat-gjatë. Të dhënat janë marrë nga analiza e riskut të “Fitch”. Si është e pozicionuar Shqipëria në këtë hartë risku? Gati në zonën e kuqe, duke rezultuar edhe si vendi me përkeqësimin më të madh në Europë, me plot 6.3 pikë.
Risku i Shqipërisë vlerësohet në 53.5 pikë, çka na klasifikon në zonën portokalli bashkë me vendet e tjera të rajonit. Ky pikëzim është lehtë më i ulët se një vit më parë, çka tregon një përkeqësim të situatës, duke qenë se pikët më të ulta flasin për një situatë më të paqëndrueshme. Rënia është rrjedhojë ekskluzive e indikatorit politik, që ka pësuar një rënie drastike.
“Pakënaqësia sociale dhe tensionet mes qeverisë dhe partive kryesore të opozitës sinjalizojnë se vala protestash të mëdha janë të mundshme përgjatë 2020-ës, duke ngadalësuar reformat”-thuhet në raport. Sa i përket indikatorit të riskut ekonomik, në afat-shkurtër, nuk ka asnjë ndryshim krahasuar me një vit më parë, paçka se pozitat e Shqipërisë krahasuar me vendet e Europës nuk janë fort të favorshme. Në këtë nën-indikator risku, vetëm Bosnje Hercegovian është më keq se ne në rajon.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.