Shqipëria nënshkruan Marrëveshjen e Vendit Pritës me Fondin e Ballkanit Perëndimor
Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë kanë sot nënshkruar Marrëveshjen e Vendit Pritës, ku ishin të pranishëm ekipi i këtij Fondi, Ambasadorët e Ballkanit Perëndimor, si edhe të vendeve të Grupit të Vishegradit.
Selitë rajonale të WBF si dhe ato të Zyrës së Bashkëpunimit Rajonal janë të vendosura në Shqipëri.
Marrëveshja është firmosur nga ministri i MEPJ, Ditmir Bushati dhe drejtori ekzekutiv i WBF, Gjergj Murra. Ky i fundit ka cilësuar këtë si një realitet që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
“Sot Fondi i Ballkanit Perëndimor paraqet një sukses të përbashkët të të gjitha palëve të përfshira në krijimin e saj. Ne e vlerësojmë që Republika e Shqipërisë, duke qenë si vendi ynë mikpritës po mbështet çdo hap në rrugën tonë, pavarësisht nga sfidat apo vështirësitë që hasëm. “
Ndërkohë, Bushati tha se Shqipëria është e vendosur që t’i bëjë këto dy mekanizma të rëndësishëm ndikues në forcimin e marrëdhënieve mes vende ballkanike.
“Raportet e mira mes fqinjësh, besimi i ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, janë domosdoshmëri për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë Rajonin”, shtoi më tej ai.
Marrëveshja e Vendit Pritës midis WBF dhe Shqipërisë paraqet një angazhim të përmbushur jo vetëm për Palët Kontraktuese të Fondit të Ballkanit Perëndimor, por edhe për të gjithë partnerët e përfshirë në krijimin dhe zhvillimin e Fondit.
Përveç mbështetjes politike dhe strategjike, nëpërmjet kësaj Marrëveshjeje, Shqipëria i ofron Fondit kushtet funksionale për veprimtaritë e përditshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.