Shqipëria përfaqësohet në Forumin Vjetor të Investimeve në Dubai. Diskutohet hapja e një linje fluturimesh nga Tirana
Shqipëria përfaqësohet për herë të parë në Forumin Vjetor të Investimeve në Dubai. Përfaqësimi është bërë nga AIDA ku po zhvillohen një sërë takimesh me zyrtarë të niveleve të larta dhe me investitorë të rëndësishëm, duke shkëmbyer kështu kontakte dhe duke prezantuar mundësitë që Shqipëria ofron për investime.
Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, Genti Beqiri zhvilloi një takim me Nënsekretarin e Ministrisë së Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdulla A. Al Saleh, gjatë të cilit u diskutua mbi potencialet që Shqipëria ofron për investitorët e huaj në fusha të ndryshme, veçanërisht në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.
Gjithashtu, Beqiri e njohu Nënsekretarin e Ministrisë së Ekonomisë me nismën e qeverisë shqiptare për rritjen e investimeve në formën e partneriteteve publike dhe private (PPP), të prezantuara në projektin “1 Miliard Euro”.
Një çështje tjetër e cila u diskutua, ishte edhe hapja e një linje të re fluturimesh direkte mes Tiranës e Dubait, si një mundësi më e mirë ndërlidhjeje mes dy vendeve.
Një takim tjetër i rëndësishëm ishte ai me Zv. Presidentin e Dhomës së Tregtisë së Dubait, gjatë të cilit përfaqësuesit e AIDA-s e njohën mbi mundësitë që vendi ynë ofron për investitorët atje . Disa takime janë zhvilluar edhe me përfaqësuesit e grupeve të mëdha të investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe jo vetëm.
Pjesëmarrja e AIDA-s në këtë event i bashkohet përfaqësimeve ndërkombëtare të niveleve më të larta të sektorit publik dhe atij privat, duke u bërë pjesë e një sërë aktivitetesh të ndryshme si: ekspozitë ndërkombëtare ku AIDA ka edhe stendën e saj, seminare, prezantime të vendeve pjesëmarrëse dhe mundësive që ofrojnë për investime, tryeza të rrumbullakëta ndërmjet vendeve pjesëmarrëse etj.
Në Forumin Vjetor të Investimeve marrin pjesë 140 shtete, mbi 100 zyrtarë të niveleve më të larta dhe 15,000 investitorët më të mëdhenj në nivel ndërkombëtar.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.