Shqipëria përkeqëson renditjen për korrupsionin, OSBE: “Kambanë alarmi për institucionet”
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar mbi rezultatet e shpallura së fundmi nga “Transparency International” duke u shprehur se korrupsioni po bëhet një problem mjaft shqetësues në pjesën e Europës Juglindore.
OSBE gjithashtu i ka bërë thirrje institucioneve publike për më shumë transparencë me shpenzimet, duke inkurajuar në këtë mënyrë edhe organet e reja të drejtësisë që të vijojnë ndëshkueshmërinë, sa i përket këtij fenomeni.
Institucioni i lartë evropian vëren edhe se ky raport trajton problemin e korrupsionit në zgjedhjet elektorale që sipas tyre është një sinjal i qartë për palët politike “për një reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse”, ku një ndër pikat shumë të diskutuara mbetet transparenca mbi financimet e partive politike në fushata zgjedhore.
Postimi i plotë:
“Vërejmë me keqardhje vijimin e përkeqësimit të perceptimit publik ndaj korrupsionit në vend, siç dëshmon Indeksi më i fundit i Transparency International, rezultatet e të cilit u botuan sot.
Shqipëria shënoi një pikë më pak në krahasim me vlerësimin e vitit 2018, duke humbur shtatë vende në klasifikimin global. Prirja e përgjithshme negative në rajonin e Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, sa i përket luftës kundër korrupsionit mbetet shqetësuese.
Në dritën e gjetjeve të Transparency International, Prezenca e OSBE-së i bën thirrje institucioneve publike dhe organeve ligjzbatuese të vijojnë zbatimin e reformës në drejtësi dhe atyre kundër korrupsionit, të sigurojnë integritet dhe transparencë më të madhe institucionale në shpenzimet publike, si dhe të zgjerojnë hapësirën për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në monitorim të pavarur.
Meqenëse analiza mbarëbotërore e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit këtë vit thekson nevojën për adresimin e korrupsionit në zgjedhje, përsërisim thirrjen tonë për reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, përfshirë ato lidhur me financimin e partive dhe të fushatave zgjedhore.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.