Shqipëria zbret në fund – WEF: Humbet 15 vende në kapitalin njerëzor, s`di ta shfrytëzojë
Shqipëria është e fundit në Europë dhe e 85-ta në botë, ndër 130 vende në indeksin e kapitalit njerëzor të Forumit Ekonomik Botëror. Vendi ynë, ka humbur plot 15 vende në krahasim me raportin e një viti më parë, që për rrjedhojë e ka katapultuar në fund të Europës.
Indeksi i forumit prestigjioz, mat zhvillimin njerëzor të një vendi dhe kapacitetin e pashfrytëzuar, kryesisht si pasojë e mungesës së investimeve në arsimim. Për rrjedhojë, humbjet që gjeneron shfrytëzimi i dobët i kapacitetit njerëzor, përkthehen në humbje të konsiderueshme për ekonominë e gjithsecilit prej vendeve të analizuara.
Në këtë prizëm, Shqipëria është një ndër vendet që regjistron performancën më të dobët. Në raportin e vitit të kaluar, vendi ynë renditej në vendin e 70-të në botë, duke lënë pas në Europë vetëm Turqinë, ndërkohë që në raportin e këtij viti, dy vendet kanë ndërruar pozicionet dhe Shqipëria ka zbritur në fund.
Mes rreshtave të raportit, theksohet qartë se, Maqedonia e renditur e 67-ta dhe Shqipëria e 85-ta janë të fundit në rajon si pasojë e papunësisë së lartë si dhe normave të larta të shfrytëzimti të dobët të fuqisë punëtore. Kjo do të thotë se, në Shqipëri jo vetëm që ka papunësi të lartë, por edhe aty ku ka punësim, nuk është i drejtë, pasi ata që kanë kualifikim të lartë, paguhen pak për shkak se bëjnë një punë nën kualifikimin e tyre.
Indeksi i përgjithshëm zhvillohet mbi katër nën-indikatorë; kapaciteti, dija, zhvillimi dhe shfrytëzimi efikas. Në atë të dijes dhe në atë të zhvillimit efikas, siç duket qartë nga ky grafik, Shqipëria performon nën mesataren globale, ndërkohë që në atë të kapacitet është në linjë me mesataren, dhe në atë të zhvillimit, bindshëm mbi mesataren.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.