Shqiptarët ‘braktisin’ trenat, orientim ‘masiv’ drejt fluturimeve
Gushti ka shënuar një ‘braktisje’ të theksuar të transportit hekurudhor. Sipas raportit më të fundit të Instat, në gusht 2019, hekurudhat kanë pasur 4 mijë e 159 pasagjerë më pak, duke shënuar një rënie me 25.2%
Mirëpo, largimi i pasagjerëve nga transporti hekurudhor është një fenomen që shkon përtej gushtit e lidhet me një serë faktorësh. Sipas Instat, e gjithë periudha janar- gusht 2019 ka shënuar rënie të përdorimit të transportit hekurudhor nga pasagjerët.
Në këtë 8 mujor (janar-gusht 2019), 52 mijë e 412 pasagjerë kanë përdorur transportin hekurudhor për të udhëtuar, afro 13 % më pak nga e njëjta periudhë e vitit 2018. Referuar Instat, në janar- gusht 2018, 60 mijë e 33 pasagjerë kanë përzgjedhur transportin hekurudhor për udhëtime.
Sipas Instat, numri i pasagjerëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë në rrugë detare në janar- gusht 2019 është rritur me 3.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Në 8 mujorin e 2019 (janar- gusht) kanë udhëtuar 1 milionë e 162 mijë e 66 pasagjerë nëpërmjet linjave detare, ndërkohë që në 8 mujorin e vitit 2018, ky numër pasagjerësh ishte 1 milionë e 126 mijë e 351.
Nga ana tjetër, orientimi më i madh është vënë re në linjën ajrore. Në janar- gusht 2019, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar në rrugë ajrore është rritur me 11.5%, krahasuar me janar- gusht 2018.
Instat tregon se në 8 mujorin e 2018 (janar- gusht), transporti i pasagjerëve në rrugë ajrore ka qenë 1 milionë e 992 mijë e 529, ndërkohë që ky numër kaloi në 2 milionë e 22 mijë e 29, në janar- gusht 2019.
Sezoni turistik, rritja e numrit të turistëve, orientimi i pushuesve shqiptarë jashtë vendit, futja e paketave turistike të favorshme, ndryshimet në çmimet e biletave, etj. janë faktorë që kanë ndikuar në rritjen e numrit të pasagjerëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.