Shqiptarët i ‘afrohen’ librit por i ‘largohen’ shfaqjeve! Shifrat e INSTAT
Në tremujorin e katërt të vitit 2019 (shtator-dhjetor), Biblioteka Kombëtare është frekuentuar nga 32 mijë e 332 persona, duke shënuar rritje me 35,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, në rang vjetor, sipas INSTAT, numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare është rritur me 60,7 %, krahasuar me vitin 2018.
Referuar të dhënave të INSTAT, në Bibliotekën Kombëtare, në tremujorin e katërt 2019 janë afishuar 1.180 tituj të rinj dhe 4.185 ekzemplarë të rinj. Numri i botimeve për vitin 2019 është 99.741 botime, duke shënuar rritje me 11,8 %, krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2019, si numri i titujve të rinj dhe numri i ekzemplarëve të rinj është rritur.
Por ndërsa është rritur numrin i frekuentuesve të Bibliotekës Kombëtare, shifrat e INSTAT dëshmojnë se pjesëmarrja mesatare në institucionet qendrore të artit dhe kulturës ka rënë me 5,1 %, si në tremujorin e katërt 2019 dhe në vitin 2019, krahasuar me të njëjtat periudha të një viti më parë.
Numri mesatar i spektatorëve për shfaqje ka pësuar një rënie të lehtë, nga 197 spektatorë për shfaqje, në tremujorin e katërt të vitit 2018, në 187 spektatorë për shfaqje, në tremujorin e katërt 2019. Në vitin 2019, numri mesatar i spektatorëve për shfaqje është 199 spektatorë, nga 210 të tillë, që ishin në vitin 2018.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.