Shqiptarët më të lumtur me pandeminë?! – Raporti Global i Lumturisë 2021 “zbulon” paradoksin
“Raporti Global i Lumturisë 2021”, që përfshin vitet 2018-2020, nxjerr një rezultat disi paradoksal për Shqipërinë, pasi shqiptarët duket se janë bërë më të lumtur, paçka se raporti i fundit është fokusuar ndjeshëm në vitin 2020, atë të pandemisë. Në periudhën 2017-2019, Shqipëria renditej në vendin e 75-të në botë, duke grumbulluar 4883 pikë, ndërsa në raportin e sapopublikuar renditet e 63-ta në botë, me 5365 pikë.
Ky përmirësim e ka ndihmuar që t`i largohet vendit të fundit në rajon në këtë klasifikim, duke “parakaluar” Maqedoninë e Veriut. Madje, në raportin e fundit, Shqipëria lë pas në renditje edhe Turqinë, veç Gjeorgjisë dhe Armenisë, ndër shtetet europiane. Ky indeks i përpilohet mbi bazën e vlerësimit që njerëzit i bëjnë jetës së tyre, me një shkallë nga 1-10. Studimi kryhet në formën e një ankete, me rreth 1 mijë të anketuar në çdo vend.
Pandemia ka detyruar një ndryshim të metodoligjisë, duke eleminuar intervistat ballë për ballë, dhe duke kaluar më shumë drejt atyre telefonike, gjë që ka ndodhur edhe për vendin tonë. Në rang global, Finlanda, Islanda dhe Danimarka janë vendet më të lumtura.
Në rast se renditja dhe klasifikimi do të bëhej në kushte normale, pra sikur mos të ishte fokusi i gjithi te pandemia, Shqipëria do të klasifikohej në vendin e 93-të në botë, ndër 149 shtete, nga vendi i 107-të i raportit të kaluar. Në këtë klasifikim në llogaritje përfshihen edhe shumë indikatorë të tjerë, si ekonomia, shëndeti, bujaria, liria, korrupsioni, etj.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.