Shqiptarët po blejnë Petro – Interes për kriptovalutën e naftës së Venezuelës
Shqiptarët janë ndër blerësit e parë të monedhës më të re virtuale në treg, petros, që është një kriptovalutë që merr mbështetje nga nafta. Vetëm disa ditë më parë Presidenti Nicolas Maduro njoftoi nxjerrjen në tregun virtual të kriptomonedhës së re, që ka për qëllim të anashkalojë sanksionet ndaj vendit që është goditur rëndë nga kriza ekonomike.
Gazeta venezueliane, “Correo del Orinoco”, që ka mbështetjen e qeverisë së vendit thotë se deri më tani janë blerë 3 miliardë dollar kriptovalutë nga investitorë të ndryshëm, nga më shumë se 100 vende të ndryshme të botës, përfshirë këtu Shqipërinë.
Mesa duket, shqiptarët nuk i kanë shpëtuar dot tundimit për të investuar te kriptovaluta më e re në treg, dhe me një potencial aspak të papërfillshëm, duke pasur parasysh këtu faktin që kjo valutë është e lidhur drejtpërdrejtë me naftën dhe kontrollohet nga shteti me rezervat më të mëdha të naftës në botë, Venezuela.
Pavarësisht se, Banka e Shqipërisë ka bërë vazhdimisht apel për të pasur kujdes ndaj kriptovalutave, “bumi” i muajve të fundit në vlerë tregut i këtyre monedhave, ka bërë që shumë shqiptarë t`i shohin si një mënyrë e volitshme investimi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.