Shqiptarët, pro “spiunimit” – 67% e mbështesin, pasi lufton korrupsionin
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal ka publikuar një raport me titull: “Sjellja publike ndaj `spiunëve` në Europën Qendrore dhe Lindore”.
Raporti është financuar nga Bashkimi Europian dhe merr në analizë 7 vende të rajonit; Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë, Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën.
Ata që njihen në publik si informatorë, pra që spiunojnë ata të cilët shkelin ligjin, mbrohen nga ky i fundit. Spiunimi në këtë kontekst është një ndër mjetet më efikase për të ekspozuar korrupsionin dhe krimin. Raporti është i pari në llojin e tij për rajonin.
“Korrupsioni dhe mungesa e efikasitetin në luftën ndaj këtij fenomeni vazhdon të shihet me shqetësim të madh nga ekonomitë e rajonit. Pavarësisht kësaj, këto shqetësime nuk janë përkthyer ende në mbështetje të fortë publike për informatorët”-thotë raporti.
Raporti, që vjen në formën e një ankete, tregon se, shqiptarët janë ata që i japin mbështetjen më të madhe në rajon informatorëve, si dhe kanë shqetësim të madh për korrupsionin.
Thuajse dy të tretat shqiptarëve, mendojnë se informatorët duhen mbështetur, duke regjistruar kështu përqindjen më të lartë në rajon, me 67%.
Në pjesën dedikuar Shqipërisë, raporti veçse vë theksin te ligji i miratuar vitin e kaluar në Parlament për mbrojtjen e informatorëve, thekson se, Shqipëria është në pararojë dhe qëndron mbi të gjitha vendet e tjera të rajonit. 43% e të anketuarve mendojnë se mënyra më e mirë për të ndaluar paligjshmërinë është informimi nëpërmjet kanaleve zyrtare, 22% nëpërmjet mediave, dhe 17% shprehen se paligjshmëria nuk mund të ndalet.
Edhe Kosova me Kroacinë janë dy prej vendeve me mbështetje të lartë publike ndaj fenomenit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.