Shqiptarët të shqetësuar/“Barometri i Ballkanit 2017”, radhiten problemet, “shfaqet” krimi
Shqipëria nuk është as vendi me performancën më të mirë e as vendi me performancën më të dobët mes vendeve të rajonit, sa i përket indeksit të ndjeshmërisë së biznesit, por është i vetmi vend që nuk ka bërë përmirësime, thotë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në Barometrin e Ballkanit 2017.
Ky raport përpilohet në formën e një ankete dhe është një ndër dokumentet më të rëndësishëm në drejtim të klimës së biznesit për vendet e rajonit, ku në analizë merren 7 ekonomi, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia.
Më shumë se gjysma e të anketuarve në Shqipëri, ose 59% e tyre shprehen të pakënaqur me mënyrën sesi po ecin gjërat aktualisht në shoqërinë tonë. 67% e tyre ndërkohë shprehen tërësisht të pakënaqur ose vetëm të pakënaqur sa i përket situatës ekonomike në vendin tonë.
ajo që rezulton më shqetësuese është fakti se, 66% e të anketuarve shprehen të pakënaqur me gjendjen e sigurisë, që kërcënon ekonominë, si krimi i organizuar, terrorizmi, konfliktet e dhunshme etj. Shqipëria është vendi me normën më të lartë në rajon në këtë drejtim si dhe vendi me normën më të ulët të atyre që i përgjigjen si të kënaqur kësaj pyetje.
Sa i përket dy problemeve kyçe me të cilat përballet ekonomia, bizneset shqiptare radhisin papunësinë dhe situatën ekonomike. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, shqiptarët evidentojnë si problem madhor edhe sistemin gjyqësor. Ky grafik, ku Shqipëria përfaqësohet me ngjyrën blu, tregon qartë se, shqiptarët janë më pak të kënaqurit në rajon në shumë drejtime, si: çmimet, shëndetësia, siguria nga krimi, jeta sociale, puna aktuale, etj.
Paradoksalisht, përjashtim të vetëm bën shërbimi i administratës publike, ku shqiptarët duken më të kënaqur se fqinjët. Nga ana tjetër, tre në katër shqiptarë të anketuar është I besimit se, integrimi në bashkimin europian do të ndodhë jo më vonë se vitit 2025, dhe kjo është norma më e lartë në rajon.
Gjithashtu shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë dy popujt me normë më të lartë të pëlqimit ndaj integrimit, 81 dhe 90% respektivisht. Barometri tregon gjithashtu se, shqiptarët e lidhin drejtpërdrejtë integrimin me lirinë e lëvizjes për të punuar dhe studiuar si dhe prosperitetin ekonomik.
Anketa përligj gjithashtu atë që është krijuar si perceptim: nivelin e lartë të pabarazisë. Shqiptarët janë të parët në rajon për numrin e atyre që e konsiderojnë veten me një status shoqëror dhe ekonomik mbi mesataren si dhe të parët në numër për ata që e konsiderojnë veten me një status nën mesataren.
Për rrjedhojë shtresa e mesme, e ilustruar me ngjyrën gri është ajo më e nënpërfaqësuara në rajon.
Shqipëria rezulton gjithashtu vendi me normën më të ulët të të punësuarve dhe vendi me normën më të larët të të papunëve në rajon.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.