Shteti i BE-së ndalon mbi 14 mijë ton mbeturina me prejardhje nga Europa dhe jo vetëm!
Në 11 muajt e parë të vitit 2021, autoritetet rumune identifikuan në kufi më shumë se 224 dërgesa të paligjshme mbetjesh nga vendet e Evropës, Azisë dhe Amerikës së Veriut. Gjatë kontrollit doganor, ata gjetën mbi 14 mijë tonë mallra që në fakt ishin mbeturina.
Dërgesat nuk korrespondonin me të dhënat e deklaruara dhe të përfshira në dokumentet e dorëzuara pranë autoriteteve doganore, shpjegoi Policia Kufitare Rumune. Si të tilla, janë hapur gjithsej 22 çështje penale nga strukturat e policisë kufitare.
Mbetjet e ndaluara në kufi ishin dërguar nga vendet europiane si Britania e Madhe, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Norvegjia, Portugalia, Holanda, Serbia dhe Spanja, por edhe nga Kina, Hong Kongu, Pakistani, Izraeli, Japonia, SHBA dhe Kanadaja.
Më së shumti incidente të tilla u regjistruan në kufirin me Bullgarinë – 94 dërgesa që përfshinin afërsisht 5,975 ton mbeturina.
Në rojet bregdetare, ku u regjistruan rreth 35 raste, policia kufitare dhe autoritetet kompetente nga Qarku i Konstancës evidentuan në total mbi 6960 tonë mbetje. Këto janë gjetur në portin e Konstancës por edhe në pikat kufitare Vama Veçe dhe Negru Voda.
Në të njëjtën kohë, 65 raste janë raportuar edhe në kufirin me Hungarinë, ku janë përfshirë mbi 850 tonë mbeturina.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.