Shteti më i ri i Eurozonës do të vazhdojë të shfaqë monedhën vendase dhe euron në çmime edhe gjatë 2023!
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç ka njoftuar se nga 5 shtatori, çmimet do të shfaqen si në kuna ashtu edhe në euro në vend dhe gjatë gjithë vitit 2023.
Çmimet e mallrave dhe shërbimeve të konsumit në Kroaci, të matura me indeksin e çmimeve të konsumit, janë rritur me 5,5% në dhjetor 2021 krahasuar me dhjetorin 2020, ndërsa në të gjithë vitin 2021 janë rritur me 2,6% nga viti në vit, sipas Byrosë Shtetërore të Statistikave (DZS).
Norma vjetore e inflacionit në dhjetor ishte më e larta që nga tetori 2008, kur ishte 5.9%. Krahasuar me nëntorin 2021, çmimet e konsumit mesatarisht kanë mbetur të njëjta. Rritja më e lartë nga viti në vit është vërejtur tek transporti, me 11.4%, e cila është gjeneruar kryesisht nga rritja e çmimit të karburanteve, prej 22.5% në nivel vjetor.
Rritje vjetore të çmimeve shënuan edhe të gjitha kategoritë e tjera, përveç sektorit të shëndetësisë që shënoi rënie prej 0.3%. Çmimet e ushqimeve, të cilat zënë një pjesë të konsiderueshme të shportës së mallrave, vijuan rritjen e nisur në muajin korrik, duke u rritur mesatarisht me 8.1% në muajin dhjetor. Çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit u rritën me 5,9%, veshjet dhe këpucët me 3,7%, banesat me 3,2% dhe mobiliet shtëpiake me 4%.
Krahasuar me muajin nëntor, rritja më e lartë e çmimeve është shënuar te ushqimet dhe pijet joalkoolike (+1,4%). Çmimet e veshjeve dhe këpucëve u ulën me 8.2% dhe ato të banesave, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 0.2%.
Norma mesatare vjetore e inflacionit për të gjithë vitin ishte 2.6%. Guvernatori Vujçiq tha se vendi duhet të jetë i gatshëm të sigurojë tregun me kartëmonedha dhe monedha euro me kalimin në atë monedhë. I pyetur për të mirat dhe të këqijat e pranimit në eurozonë, Vujçiq tha se Kroacisë do t’i sigurohet mbrojtje më e mirë në rast krize. Ai shtoi se aktualisht janë 36 miliardë kuna para të gatshme në qarkullim dhe në 12 muajt e ardhshëm paratë ose duhet të depozitohen në banka ose të shpenzohen.
Në vitin 2023, të gjithë do të mund të shkëmbejnë kuna me euro pa pagesë në banka, në zyrat e Postës Kroate dhe në degët e FINA-s (Shërbimet financiare dhe sistemet e pagesave).
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.