Shtimi i rasteve me COVID/ A do të ketë karantinë të dytë për Shqipërinë? Përgjigjet Manastriliu!
Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca i ka dorëzuar sot ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliut, pjesën e dytë të ndihmës së Bashkimit Europian për Shqipërinë në kuadër të trajtimit dhe parandalimit të Koronavirusit.
Ministrja Manastirliu u shpreh se me shifrat e larta të ditëve të fundit, situata është duke u monitoruar me kujdes, që nga testimi e deri tek gjurmimi i rasteve, me qëllim këputjen e zinxhirit të infeksionit. Në fjalën e saj ajo përjashtoi mundësinë e një mbylljeje të dytë për vendin, ndërsa theksoi faktin se tashmë një pjesë e mirë e punës i takon qytetarëve, që duhet të ndërgjegjësohen me stilin e ri të jetës.
“Edhe me shifrat e rritura pa dyshim nuk do të ketë kthim prapa, por ka nevojë për vëmendje të shtuar nga ana e qytetarëve për të ruajtur distancimin social dhe aty ku nuk mund të ruhet, të vendoset maska, të zbatohen protokollet e sigurisë.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të delegacionit europian në Shqipëri ndihma konsiston në 5 ambulanca shpëtimi të pajisura plotësisht, 15 ventilatorë mekanikë të lëvizshëm dhe pajisje të tjera të specializuara për rastet më të rënda të vështirësive në frymëmarrje, ndërkohë që dorëzimi i pjesës së parë të ndihmës u krye në maj dhe përbëhej nga pajisje mbrojtëse kundër COVID-19.
Ndërkaq angazhimi i përgjithshëm i BE-së për Shqipërinë në luftën kundër COVID-19 është 4 milionë euro për pajisje mjekësore dhe gati 50 milionë euro për mbrojtje dhe mbështetje sociale, si dhe për rimëkëmbjen ekonomike.
Live nga Spitali i Traumës në Tiranë. Ambasadori i BE-së Luigi Soreca dorëzon Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu pjesën e dytë të ndihmës së BE-së në luftën kundër Covid19.#EU4Health
Posted by European Union in Albania on Monday, June 15, 2020
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.