“Shtrëngohen” procedurat tatimore! Si do të eleminohen skemat me niptet sekondare, ndarjet apo mbylljet fiktive
Pjesë e paketës së re fiskale për vitin 2019, janë dhe disa ndryshime në ligjin për procedurat tatimore. Ndryshimet synojnë të ulin evazionin fiskal, element që ishte paralajmërura më herët nga ministri i Financave. Ndryshimet e reja parashikojnë ndër të tjera eleminimin e atyre që mund të konsiderohen hapësira evazioni.
Një ndër ndryshimet është ai që lidhet me regjistrimin e NIPT-it nga tatimpaguesit.
“Ndryshimet e propozuara synojnë gjithashtu përmirësimin e rregullave të regjistrimit dhe të pajisjes me NIPT/NUIS të personave fizikë tregtarë, për të administruar këtë kategori tatimpaguesish në deklarimin e saktë të të ardhurave të realizuara, kur fiktivisht ndajnë aktivitetin vetëm me qëllimin e shmangies së tatimit, duke u regjistruar me më shumë se një NIPT/NUIS” shkruhet në relacionin e projektligjit për procedurat tatimore.
Nenet 1 e 2 të ndryshuara parashikojnë pajisjen me vetëm një NIPT të personit fizik (mund të pajiset me NIPT-e sekondare nëse hap veprimtari të tjera), me qëllim shmangien e keqpërdorimit të tarifave të ligjit dhe të tatimit.
Këto ndryshime synojnë t’i japin fund praktikave të mbylljes së NIPT-eve dhe çeljes së NIPT-eve të tjera, duke lënë te aktiviteti i mbyllur një seri detyrimesh apo gjobash të papaguara. Me ndryshimet e reja, çelja e një NIPT-it të ri në Qendrën Kombëtare të Biznesit mund të bëhet vetëm pasi të jetë çregjistruar NIPT-i ekzistues.
Po ashtu, një ndryshim tjetër që lidhet sërish me çështjen e NIPT-it është ajo e ndarjes së aktivitetit, ku një person fizik tregtar mund të ketë të regjistruar më shumë se një të tillë, e me numra të ndryshëm. Me ndryshimet e reja, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë një person fizik tregtar, do të pajiset me numër identifikimi të njëjtë, dhe ajo që do të ndryshojë do të jetë numri serial i aktivitetit të ri, me qëllim identifikimin e vendndodhjes të veprimtarisë së re.
Një ndryshim tjetër është ia që parashikon penalizime për ata janë regjistruar në regjistrin pasiv në Tatime por që vazhdojnë e kryejnë transaksione e aktivitet.
“Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet, si më poshtë vijon:
“Për shitësin, i cili është në regjistrin pasiv, bëhet vlerësim tatimor dhe dënim, në përputhje me nenin 116 të këtij ligji ndërsa për blerësin, bëhet vlerësim tatimor për mosnjohjen e TVSH-së së zbritshme dhe të shpenzimit” shkruhet në relacion.
Po ashtu, penalitet do të ketë edhe për ato biznese aktive që ushtrojnë aktivitet me bizneset pasive. Në këtë rast, të dy palët që kryejnë transaksione penalizohen.
Në propozimet e paraqitura në këtë projektligj synohet gjithashtu përdorimi i mënyrave alternative të vlerësimit tatimor, kur nga administrata tatimore konstatohet se tatimpaguesi kryen veprime apo transaksione, të cilat synojnë përfitimin e një avantazhi tatimor në kundërshtim me legjislacionin tatimor dhe rezultojnë fiktive mbi prova dhe fakte.
Një ndryshim tjetër, lidhet me qartësimin e procedurave të njoftimit për pagesën e detyrimeve tatimore, të pagesës dhe rradhës së pagesave, duke e bërë më të thjeshtë zbatimin e këtyre procedurave në praktikë. Në projektligjin, që sjell SCAN, propozohen edhe rregullime të procedurës së deklarimit të detyrimit tatimor të pambledhshëm dhe hapave që do të ndiqen nga administrata tatimore në zbatimin e procedurës. Gjithashtu, ndryshime propozohen edhe në trajtimin e kundërvajtjeve administrative, ku vlen të theksohet një shtesë me rëndësi në nenin 124, që në rast se tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba në këtë rast reduktohet me 30 për qind.
Ndryshimet do të diskutohet në komisionet parlamentare për t’u votuar më pas në variantin përfundimtar në Kuvend. Aplikimi i ndryshimeve parashikohet të nisë në janar 2019.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.