“Shtrenjtohet” energjia për nëntorin – KESH blen 129.600 mwh, shpenzon 8.8 mln euro
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka mbyllur procedurën e blerjes së energjisë elektrike për muajin nëntor. Pas shqyrtimit të ofertave, kompania arriti të blejë të gjithë sasisë e kërkuar prej 129.600 mwh, ndërkohë që në total u shpenzuan rreth 8.8 milion euro.
Sipas përllogaritjeve, KESH arriti të blejë energji me një çmim mesatar prej 67.76 euro/mwh, që është dukshëm më i lartë se çmimi mesatar i muajit paraardhës.
Kjo pasi, gjatë muajit tetor Korporata bleu 111.750 mwh energji me një çmim mesatar prej 50.85 euro/mwh, çka do të thotë se për nëntorin 1 mwh i kushtoi KESH-it 16.91 euro më shtrenjtë se një muaj më parë.
Blerja e energjisë vjen në kushtet kur asetet gjeneruese nuk po prodhojnë mjaftueshëm, për shkak të mungesës së reshjeve të shiut, ndërkohë që për blerjen e muajit nëntor do të përdoret sërish huaja e Bankës Botërore.
Pas dërgimit të Raportit të Vlerësimit të Ofertave të blerjes së energjisë elektrike nga KESH, tashmë kjo bankë ka dhënë miratimin për shpenzimin prej 8.8 milion euro.
Në kushtet e thatësirës, edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është duke kryer procedura të blerjes së energjisë, ndërkohë që sipas të dhënave rezulton se për periudhën korrik-tetor janë shpenzuar në total 86 milion euro.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.