Shtyhen zgjedhjet në universitete – Votime “pa studentë”, tërhiqet Shahini. Meta: Vendim i drejtë
Pas shumë kundërshtimesh, ministrja e Arsimit Besa Shahini ka shtyrë zhvillimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në universitetet publike. Përmes një urdhri të firmosur në datën 8 maj, saktësohet se shkak për këtë vendim është gjendja e fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19, ndërkohë që data e re kur do të caktohet në një moment të dytë.
Megjithatë, ky urdhër vjen pas qëndrimeve të mbajtur nga student të ndryshëm dhe organizata të shoqërisë civile, që kundërshtuan mbajtjen e zgjedhjeve pa studentë. Gjithashtu, Organizata Qëndresa Qytetare dhe disa studentë paditën në Gjykatën Administrative ministren e Arsimit, Besa Shahini, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve në Universitete, duke qenë se nuk mund të votojnë dot për shkak të koronavirusit.
“Në vijim të nismës për parandalimin e zgjedhjeve pa studentë që pritet të mbahen më 12 qershor në universitetet e vendit. Qëndresa dhe studentët depozituan sot në Gjykatën Administrative një akt-padi për rrëzimin e Urdhrit të Ministres për zhvillimin e zgjedhjeve në Universitete,”-shkruhet në padi. Ndërkaq, një ditë pasi kërkoi që procesi zgjedhor duhet të mishëronte parimet kushtuese dhe të zhvillohej në përputhje me legjislacionin në fuqi, presidenti i Republikës Ilir Meta e konsideroi si të drejtë urdhrin e Shahinit.
Gjithsesi, Urdhri i Shahinit kërkon që organet drejtuese të institucioneve publike të arsimit të lartë të vijojnë me përgatitjen e zgjedhjeve, me qëllim zhvillimin e tyre menjëherë, pas përcaktimit të dative përkatëse nga ana e ministrisë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.