Shtyhet karta e inspektorit – Vonesa e reformës, urdhri: Do vlejë deri në ristrukturimin e inspektorateve
Vlefshmëria e kartës së inspektorit, që përfundonte në dhjetor të vitit të kaluar është zgjatur deri në ristrukturimin e inspektorateve. Karta ka si qëllim identifikimin e inspektorit shtetëror gjatë kryerjes së procedurave të inspektimit pranë subjekteve, duke shmangur veprime abuzive të personave të paautorizuar. Shtyrja e afatit të këtij dokumenti është bërë përmes një urdhri të kryeinspektorit, Shkëlqim Hajdari, por kjo ka nxjerrë edhe njëherë në pah vonesën në reformën e inspektorateve, që ka nisur prej vitesh.
Inspektorati Qendror ka prezantuar draftin me ndryshimet ligjore në fushën e inspektimeve, që në gusht të vitit 2017. Këto ndryshime parashikonin ristrukturimin e numrit të inspektorateve shtetërore, duke synuar futjen dhe fuqizimin e sistemit të karrierës në trupën e inspektorëve si dhe ndryshimin e mentalitetit të inspektimit nga një proces ndëshkues për biznesin, në një proces ndihmës dhe këshillues.
Herë pas here, edhe bizneset kanë këmbëngulur në në përshpejtimin e reformës, si e vetmja mënyrë për të garantuar kontrolle të rregullta dhe larg praktikave abuzive, që po dëmtojnë sipërmarrjen. Së fundmi, drafti ndodhej në zyrën e ish-zv.kryeministres Senida Mesi, e cila premtoi edhe publikisht që do të përshpejtonte procesin e kalimit të tij në qeveri. Por, tashmë gjithçka është në dorë të zv.kryeministrit të ri, Erion Braçe, i cili deri më tani nuk ka patur deklarata publike për këtë çështje.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.