Shtyhet rivlerësimi i pasurive – Qytetarët, afat deri në Prill 2022. Tatim 3% për të rritur vlerën e pronës
Të gjithë qytetarët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, do të kenë mundësi që të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut deri në datën 30 Prill 2022. Qeveria ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit me 4 muaj, pasi deri më tani kjo e drejtë u jepej deri më 31 dhjetor të këtij viti. Po ashtu, afati i ri do të zbatohet edhe për kërkesat e dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk kanë përfunduar brenda datës 30 prill 2022, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet para datës 31 korrik 2022.
Duket se kjo shtyrje i jep një mundësi më shumë qytetarëve, të cilët për shkak të situatës së pandemisë, ndoshta dhe përballjes me problematika në tregun e punës apo rënie të të ardhurave, nuk kanë mundur të kryejnë rivlerësimin e banesës. Rivlerësimi mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës .
Për të rivlerësuar banesën e tyre qytetarët paguajnë tatim 3 për qind,nga 15 për qind që aplikohet në kushte normale. Kështu, nëse një individ ka një banesë të blerë para disa vitesh në vlerën e 5 milionë lekëve, e cila me çmimet aktuale të tregut rivlerësohet në 8 milionë lekë, atëherë ai duhet të paguajë 3 për qind të diferencës, dhe në rastin konkret 3 për qind të 3 milionë lekëshit, i cili llogaritet në 90 mijë lekë.
Personat juridikë, për këtë rivlerësim, paguajnë 5 për qind të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme. Qytetarët do të paguajnë edhe një tarifë ekstra për kryerjen e këtij shërbimi. Aministia është shtyrë për herë të dytë dhe pritet që në total të jenë përfitues afro 50 mijë pronarë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.