Shkarkimi i kreut të AMF, Braçe: Do të jetë pikë e parë në çdo seancë
Mungesa e deputetëve dhe mosformimi i kuorumit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë ka bërë që të mos merret vendimi për shkarkimin ose jo të kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Në seancë ishin të pranishëm vetëm deputetët e mazhorancës, ndërsa munguan ata të opozitës dhe LSI-së.
Sipas kreut të Komisionit, Erion Braçe kjo çështje do të diskutohet deri sa të arrihet shumica e deputetëve për të cilën është i nevojshëm realizimi i votimit. Sipas Braçes, anëtarët e komisionit janë gjendur përballë presioneve të ndryshme, për të mos votuar shkarkimin.
Lidhur me këtë, Braçe është shprehur se gjatë gjithë këtyre viteve, nuk ka funksionuar rregullimi i tregut të sigurimeve dhe për këtë dëmtohen qytetarët.
Bordi drejtues i AMF-së, në fund të muajit shkurt, depozitoi pranë këtij komisioni shkresën ku kërkohej lirimi nga detyra Enkeleida Shehi, duke sjellë edhe argumentet që kryesisht kishin të bënin me shkelje të rregullave, por edhe me moszbatimin e rekomandimeve të Kuvendit për tregjet që kontrollohen nga ky institucion, veçanërisht ai i sigurimeve.
Deklarata e Braçes
“Komisioni i Ekonomisë është përgjegjës për vlerësimin e punës së AMF dhe kjo ngarkohet nga rregullorja dhe praktika e këtij Kuvendi. Që prej vitit 2014, ky Kuvend ka bërë detyrën e tij, ka dëgjuar AMF, ka ngarkuar grupe pune, ka organizuar seanca dëgjimore dhe detyrat e lëna. Të njëjtën gjë kemi bërë dhe gjate vitit 2016, në bazë të detyrave të lëna nga Kuvendi. Personalisht së bashku me anëtarët e tjerë jam angazhuar për të zgjidhur situatën në kohë të ndryshme. Kjo marrëdhënie jo vetëm e Komisionit të Ekonomisë është agravuar edhe në vetë bordin, duke degraduar në një marrëdhënie konfliktuale për shkak të vendimeve të marra në kohë të ndryshme. Kjo ka çuar në vendimmarrjen e bordit të pavarur. Këtu nuk ka asgjë politike, kjo është një çështje në shqyrtim në bazë të rregullores. Kjo lloj historie duhet të marrë fund sa më parë. Çështja që bordi ka marrë vendim lidhet thjesht me disa elemente që kanë të bëjnë me marrëdhëniet që ka ky institucion. Ajo që po ndodh me burimet njerëzore në atë institucion ka sjellë pasoja të rënda në treg, ato pasojat që i gjeni në raportin e performancës”
Sa i takon mungesës së anëtarëve të LSI, Braçe pohoi “Mungesa e deputetëve të LSI? Nuk e di arsyen, kam lajmëruar për rendin e ditës. Kur nuk ka kuorum nuk mund të marrim vendim. Për aq kohë sa është prioritet, kjo çështje do të jetë çështja e parë e rendit të ditës”
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.