Shuarja e konflikteve – Në çdo qark do të funksionojë zyra e pajtimit
Këshilli i ministrave ka miratuar një vendim në lidhje me “Procedurën e pajtimit dhe shpërblimin e anëtarëve të zyrave shtetërore të pajtimit”, i cili parashikon që pranë ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të funksionojë Zyra Kombëtare e Pajtimit dhe pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit në çdo qark të funksionojë zyra e pajtimit për pajtimin e konflikteve kolektive.
Së dyti “Ministri përgjegjës për punën ose organi administrativ i autorizuar prej tij, në rastin e dështimit të ndërmjetësit, brenda tri ditëve, njofton zyrën e pajtimit”.
- Nëse palët, gjatë shqyrtimit të konfliktit në zyrën e pajtimit, pajtohen, hartohet një procesverbal, i cili, pasi nënshkruhet prej tyre, merr fuqinë e kontratës kolektive, e detyrueshme për t’u zbatuar nga këto palë.
- Në mungesë të një pajtimi të drejtpërdrejtë të palëve, gjatë debateve në seancat e shqyrtimit, zyra e pajtimit propozon pajtimin e tyre.
- Nëse njëra nga palët, pa arsye të justifikuara, nuk paraqitet në seancat e shqyrtimit të konfliktit, zyra e pajtimit, pasi dëgjon palën e pranishme dhe mbledh të dhëna të nevojshme, ka të drejtë të propozojë pajtimin.
- Nëse ky propozim nuk mund të bëhet pa dëgjuar palën, që nuk është e pranishme, zyra e pajtimit ka të drejtë të vendosë për thirrjen e palëve në një seancë tjetër, brenda 10 (dhjetë) ditëve.
- Kryetari i zyrës së pajtimit pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit në çdo qark ndihmohet nga specialisti përgjegjës për marrëdhëniet e punës dhe kryetari i Zyrës Kombëtare të Pajtimit ndihmohet nga specialisti përgjegjës për marrëdhëniet e punës në ministrinë përgjegjëse për punën, për analizën dhe administrimin e dosjes së konfliktit.
- Nëse anëtari i zyrës së pajtimit ka konflikt interesi në shqyrtimin e konfliktit, anëtari nuk ka të drejtë të marrë pjesë në procedurën e pajtimit. Kushtet kur anëtari është në konflikt interesi përcaktohen në rregulloren e zyrës së pajtimit.
- Anëtarët e zyrës së pajtimit votojnë për propozimin e pajtimit, i cili vendoset me shumicën e votave të anëtarëve pjesëmarrës dhe, në rast barazimi votash, vota e kryetarit është përcaktuese. Zyra e pajtimit del me një propozim të nënshkruar nga anëtarët dhe kryetari i zyrës së pajtimit.
- Kryetari i zyrës së pajtimit njofton me shkrim palët për propozimin e pajtimit dhe u kërkon atyre që brenda 4 (katër) ditëve pune të deklarojnë, me shkrim, pranimin ose kundërshtimin e këtij propozimi.
- Nëse palët e pranojnë dhe e nënshkruajnë propozimin e zyrës së pajtimit, ky propozim merr fuqinë e kontratës kolektive, e detyrueshme për t’u zbatuar nga palët. Në rast të kundërt, kryetari i zyrës së pajtimit deklaron me shkrim dështimin e pajtimit të palëve në konflikt dhe brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e marrjes së përgjigjes njoftohet pala e interesuar.
- Zyra e pajtimit pajiset me një regjistër protokolli dhe me vulën përkatëse.
- Shpërblimi i anëtarëve të Zyrës Kombëtare të Pajtimit dhe zyrës së pajtimit pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit në çdo qark bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi.
- Shpenzimet për shpërblimin e anëtarëve të zyrave shtetërore të pajtimit mbulohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
- Vendimi nr.741, datë 6.11.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e pajtimit dhe masën e shpërblimit të anëtarëve të zyrave shtetërore të pajtimit”, shfuqizohet.
- Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.