“Shuhet” Yahoo! Do të quhet Altaba, dhe do të jetë kompani investimesh
“Yahoo!” do të rreshtë së ekzistuari, të paktën me emrin me të cilin njihet nga të gjithë. Emri i ri do të jetë Altaba, dhe kjo pritet të ndodhë pas shitjes së kompanisë ndaj Verizon. Kjo e fundit pritet të mbyllë shumë shpejt marrëveshjen e shit-blerjes, të mbetur pezull pas skandaleve të njëpasnjëshme të Yahoo!
Me ndërhyrjen në e-mailet e rreth 1 miliardë përdoruesve. Marrëveshja paraprake është nënshkruar që prej muajit Korrik të vitit të kaluar dhe kap një vlerë prej rreth 4 miliardë e gjysëm dollarë. Verizon do të blejë kështu aktivitetin e publicitetit, websitet, aplikacionet për aparatet celularë si dhe postën elektronike.
Jashtë marrëveshjes mbeten aksionet e yahoo-s aktualisht në duart e gjigandit të tregtisë online, Alibaba. Ajo çka do të mbetet nga Yahoo!, dhe që do të kontrollohet nga Jack Ma, nuk do të ketë aspak lidhje me Yahoo! që të gjithë njohin, pasi do të jetë një kompani e mirëfilltë investimesh.
Emri i ri, Altaba, mendohet të jetë një kombinim mes fjalës “alternative” dhe “Alibaba”. Marisa Mayer, drejtuese ekezkeutive, sëbashku me njërin prej bashkëthemeluesve, David Filo, do të largohen menjëherë pas marrëveshjes.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.