Si do plotësohet fleta e votimit më 25 prill? – Celibashi: Mund të votohet vetëm deputeti ose vetëm partia, jo dy subjekte të ndryshme
Menjëherë pas përzgjedhjes së modelit të fletës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirian Celibash ka sqaruar edhe si do të mund të votojnë qytetarët duke ndarë preferencat partiake dhe emrat konkretë të kandidatëve. Ai sqaroi se qytetarët do të mund të votojnë vetëm partinë, ose vetëm kandidatin e dëshiruar. Por zgjedhja duhet bërë brenda të njëjtit subject, pasi fleta e votimit do të konsiderohet e pavlefshme nëse qytetarët do përzgjedhin një parti dhe një kanditat të një force tjetër politike.
Lidhur me përfaqësimin me numra të kandidatëve për deputetë, Celibashi sqaroi se për të shmangur konfuzionin, në çdo qendër do vendosen postera me emrat dhe numrat përkatës të kandidatëve. Përveç kësaj, në dhomat e votimit do vendosen edhe fletëpalosje në mënyrë që qytetarët të verifikojnë numrat përkatës të kandidatëve.
Celibashi siguroi edhe që nuk do të ketë asnjë vonese lidhur me printimin dhe shpërndarjen e fletëve të reja të votimit. Lajm që u përshëndet menjëherë nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim. “”Sapo pashë konferencën për shtyp të Ilirjan Celibashit – shumë mirë të dëgjosh që formati i fletëve të votimit është rënë dakord në mënyrë që ato të shtypen në kohë për zgjedhjet 25 prillit. Ne fuqimisht mbështesim përpjekjet e KQZ për të siguruar që rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve të jenë të drejta, në kohë dhe transparente”, shkruan Kim”, shkruan Kim në rrjetet sociale.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.