Si do të bëhet eleminimi i radhave në zyrat e shtetit? Projekti: Nga bileta te kioska elektronike
Një ndër problematikat me të cilat është përballur vazhdimisht Shqipëria në aspektin e ofrimit të shërbimeve publike kanë qenë radhët në sportelet e administratës. E në fakt, krahas digjitalizimit të shërbimeve publike që tentojnë jo vetëm të shmangin radhët e kontaktet direkte me administratën por edhe korrupsionin, janë miratuar edhe disa ndryshime të tjera të cilat në thelb tentojnë të vendosin rregull në ofrimin e shërbimeve publike.
E krahas kartës së shërbimeve publike është miratuar sëfundmi edhe një manual për institucionet që ofrojnë shërbime publike në sportel.
Manuali parashikon ndërhyrje në infrastrukturën e zyrave të shërbimeve publike por gjithashtu edhe një mekanizëm kontrolli ndaj punonjësve të sporteleve publike. Të paktën nga sa shkruhet në objektin e manualit, synimi është krijimi i një mekanizmi që mundëson jo vetëm respektimin e radhës por edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.
Për këtë qëllim, manuali përmban edhe modelet vizuale dhe infrastrukturore që duhet të përmbajë një zyrë e shërbimeve publike.
Një ndër elementet që duhet të plotësojë një zyrë e shërbimeve publike, sipas manualit, është vendosja e një tabelë LED elektronike për menaxhimin e radhës dhe një kioskë për biletarinë.
Sistemi i Menaxhimit të Radhës konsiston në menaxhimin e fluksit të përfituesve të shërbimit të paraqitur pranë sportelit të shërbimit, me qëllim depozitimin e kërkesës për shërbim, përmes pajisjes së këtyre të fundit me biletë pritjeje në radhë për marrjen e shërbimit apo në forma të tjera të përshtatshme për këtë qëllim.
Shpërndarja e biletave të radhës mund të realizohet përmes një pajisjeje manuale të thjeshtë biletarie (rulon bilete) apo përmes një pajisjeje digjitale të integruar.
Sistemi i thjeshtë i menaxhimit të radhës
Referuar manualit të shërbimeve publike, aty ku përzgjidhet përdorimi i pajisjes së thjeshtë të biletarisë (rulonit të biletës), bileta e gjeneruar përmban minimalisht numrit e radhës në rend rritës. “Përdorimi i kësaj pajisjeje rekomandohet në rast të ofrimit të shërbimit nga një sportel i vetëm, kjo dhe me qëllim të reduktimit të kostove të instalimit të një sistemi digjital. Në këtë rast, përfituesit e shërbimit pajisen me biletë si për marrjen e informacionit pranë sportelit, ashtu dhe për depozitimin e kërkesës për shërbim. Në rastin e sporteleve të shumëfishta të shërbimit e aty ku përzgjidhet përdorimi i pajisjes së thjeshtë manuale të biletarisë, rekomandohet pajisja me biletë e përfituesve të shërbimit vetëm për depozitim të kërkesës për shërbim dhe depozitim të ankesës. Informacioni në këtë rast duhet ofruar në sportel të dedikuar, pa pasur nevojë për pajisje me biletë” përcaktohet në manual.
Sistemi digjital i menaxhimit të radhës
Referuar manualit, aty ku përzgjidhet përdorimi i një pajisjeje digjitale të integruar për menaxhimin e radhës, sistemi konsiston, në: kioskën digjitale me ekran me prekje, pultin e thirrjes së radhës në sportel (Call Pad), tabelën e radhës në sportel (Counter Display) dhe ekranin LCD. “Përdorimi i këtij sistemi rekomandohet në rastin e ofrimit të shërbimeve përmes sporteleve të shumëfishta e të shërbimeve të më shumë se një institucioni të administratës shtetërore” shkruhet në manual.
Kioska e biletarisë
Kioska e biletarisë shfaq logot dhe emrat e institucioneve, shërbimet e të cilave ofrohen në sportel dhe numrin e shërbimeve të ofruara prej tyre, si dhe logon e biletës për ankesa.
Gjatë përdorimit të kioskës, qytetari mund:
-të përzgjedhë institucionin, shërbimin e të cilit synon të përfitojë apo të përzgjedhë biletën për ankesa;
-të përzgjedhë shërbimin e kërkuar nga lista e shërbimeve e shfaqur në ekran;
-të pajiset me biletën e printuar nga kioska, e cila duhet të përmbajë emrin e shërbimit, numrin e biletës, numrin e sportelit, numrin e personave në radhë dhe orën e lëshimit të biletës
-të presë në hapësirën e pritjes;
-të paraqitet pranë sportelit përkatës, pasi të jetë shfaqur në ekranin LCD dhe tabelën e radhës pranë sportelit numri i biletës respektive.
Në çdo rast, për institucionet rekomandohet orientimi i qytetarit, si për përdorimin e kioskës së biletarisë, ashtu dhe për orientimin drejt sportelit të shërbimit, sidomos të grupeve vulnerabël.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.