Si do të dukej parku fotovoltaik 200 GW i Arabisë Saudite në hartën e Shqipërisë
Arabia Saudite po kërkon prej kohësh të shkëpusë varësinë e ekonomisë së saj nga nafta, në një kohë kur makinat elektrike premtojnë të zaptojnë shumë shpejt tregun.
Shenja më e madhe se si do të duket e ardhmja e shtetit në Gjirin Persik vjen nga vendimi i fundit i princit të kurorës, Mohammed Bin Salman. Princi ka firmosur një memorandum mirëkuptimi me kompaninë japoneze Softbank për të ndërtuar një park fotovoltaik me kapacitet 200 GW deri në vitin 2030.
Projekti pritet të kushtojë 200 miliardë dollarë dhe nëse ndërtohet do të jetë rreth 200 herë më i madh se parku më gjigand i energjisë diellore në funksion sot.
Investimi do të trefishonte kapacitetin e Arabisë Saudite për të prodhuar elektricitet, nga 77 GW në vitin 2017.
Me teknologjinë aktuale, panelet diellore që do të ishin në gjendje të prodhonin 200 GW energji do të zinin një sipërfaqe prej 5 mijë metrash katrorë. Një sipërfaqe konsiderueshëm më e madhe se shumë prej qyteteve më të mëdha të botës dhe e krahasueshme me shumë shtete si Andorra, Malta dhe Singapori.
Nëse e krahasojmë me Shqipërinë, sipërfaqja që do të zërë parku fotovoltaik është sa një e pesta e sipërfaqes së vendit. Siç duket edhe në hartë, ajo do të ishte e krahasueshme në përmasa me Shqipërinë e Mesme.
Krahasimi energjetik është edhe më mbresëlënës. Shqipëria vitin e kaluar prodhoi vetëm 4.5 GW energji elektrike, që do të thotë se parku fotovoltaik do të prodhojë 44 herë këtë sasi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.