Si ishin plazhet në 2019? Agjencia: 82% e stacioneve, cilësi të shkëlqyer, 4 plazhe problematikë në Vlorë e Durrës
Viti 2019 i ka gjetur ujërat e bregdetit shqiptar me një cilësi të përmirësuar ndjeshëm në raport me vitet e shkuara, por veçanërisht me vitin 2017.
Televizioni Scan ka zbardhur analizën më të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit mbi cilësinë e ujërave, nga ku rezulton se vetëm katër plazhe në gjithë vijën bregdetare mbeten problematike.
Vlerësimi i cilësisë së ujërave bregdetarë të larjes në Shqipëri edhe gjatë vitit 2018 është kryer në 108 stacione monitorimi në plazhet kryesore të bregdetit si: Velipojës, Shëngjinit,Tales, Durrësit, Gjirit të Lalzit, Kavajës (Golemi, Spille, Qerret) Divjakës, Semanit,Vlorës (Vlore, Orikum, Zvërnec), Palasës, Dhërmiut, Himarës, Borshit, Qeparoit, Sarandës, Ksamilit, Lin e Pogradec. Sipas hartës së plazheve të përpiluara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, plazhet me cilësi të keqe gjenden në Durrës dhe në Vlorë, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër e vijës bregdetare paraqet kryesisht cilësi shumë të mirë të ujit.
Në fund të analizës rezulton se cilësia e ujit rezulton e shkëlqyer në 89 stacione, e mirë në 14 stacione, e mjaftueshme në 1 stacion dhe e keqe në 4 stacione.
Sipas krahasimit të të dhënave me vitin pararendës, numri stacioneve te cilësisë se shkëlqyer nga 68% është rritur ne 82.4%,numri i stacioneve me cilësi te keqe është ulur nga 10% ne 3.7%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.