Si ndahet buxheti 2020 sipas funksioneve? Mbrojtja sociale dhe shëndetësia, marrin pjesën më të madhe!
Shpenzimet buxhetore në vitin 2020 janë parashikuar në vlerën e 549.3 miliardë lekëve. E ndarë sipas funksioneve, mbrojtja sociale është ajo që merr pjesën më të madhe të buxhetit, rreth 163.6 miliardë lekë, pasi në të përfshihen të gjitha pagesat, si ato për pensionet, për ndihmën ekonomike, asistencën sociale etj. Me pas renditet shëndetësia, për të cilën shkojnë rreth 52.8 miliardë lekë të buxhetit të shtetit, ku një pjesë të mirë e marrin pagat. Po ashtu një peshë të rëndësishme në shpenzime, zë arsimi, i cili ka në dispozicion një fond prej 45 miliardë lekësh.
Çështjet ekonomike po ashtu marrin afro 40 miliardë lekë, të ndjekura nga shërbimet e përgjithshme publike me 38.7 miliardë lekë. Për rendin dhe sigurinë publike gjatë këtij viti do të shpenzohen 30.7 miliardë lekë, për strehimin dhe komoditetet e komunitetit rreth 29 miliardë lekë, ndërsa për fushën e mbrojtjes 15.8 miliardë lekë. Shpenzime minimalist në raport me funksionet e tjera do të ketë për argëtimin, kulturë dhe çështjet fetare, rreth 3.4 miliardë lekë si dhe për mjedisin 1.2 miliardë lekë. Ndërsa një fond prej 128.3 miliardë lekësh përfshihet në shpenzimet e tjera të paklasifikuara, ku përfshihen pagesat për shërbimin e borxhit; kontigjenca për politika pagash dhe pensionesh; fondi rezervë; shpenzimet e pushtetit vendor dhe fondi i rindërtimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.