Si ndikon oferta për kredi të buta tek Eurobondi? Flasin për “SCAN Magazine” Adrian Civici dhe Selami Xhepa
Prof.Dr. Adrian Civici, Ekspert ekonomie
Kur ne nuk e dinin se sa do ishte mbështetja e donatorëve përsa i përket pasojave të tërmetit, bëmë disa rregullime buxhetore në muajin Dhjetor dhe në muajin Janar, disa alokime fondesh për t’iu përgjigjur disa nevojave immediate të procesit të rindërtimit dhe nga ana tjetër kërkonim dhe një fond që është diskutuar në rreth 600 milionë euro, në formën e Eurobondit në tregjet ndërkombëtare.
Një pjesë e të cilit, rreth 200 milionë do të shkonte për shlyrjen e borxheve të vjetra, por me një borxh të ri me norma interesi më të mira dhe më të përshtatshme, pjesa tjetër do të shkonte si mbështetje buxhetore dhe për financime.
Në këtë kuadër mendoj që pas kësaj shume nuk mendoj që do jetë e domosdoshme të paktën në një periudhë afatshkurtër që ne të dalim prap në tregjet ndërkombëtare për Eurobond se kjo do ta shtonte akoma dhe më shumë borxhin dhe detyrimet afatgjata të Shqipërisë për t’i shlyer.
E rëndësishme është ti menaxhojmë me cilësi dhe standardet e duhura këto fonde të cilat duhet ta pranojmë që nuk do vijnë nesër. Fakti që duhet të rinegociosh dhe rikontaktosh me mbi 50 donatorë, institucione, qeveri, gjithsecila ka rregullat e veta pravarësisht nga premtimi për t’i dhënë këto fonde, do kërkojë kohë, dhe ndoshta duhet ta mendojmë këtë process si një process 2-3 vjeçar, për t’i thithur të gjitha këto fonde dhe për t’i vënë në efiçencën e duhur.
Prof.Dr. Selami Xhepa, Ekspert ekonomie
Riemetimi i Eurobondit për të shlyer detyrimet e vjetra është një procedurë normale, standarde, por në qoftë se qeveria nëpërmjet kësaj konference ka mundësi që të sigurojë fonde nga donatorë të tjerë me kosto shumë më të ulët, atëherë do t’tia vlente që qeveria përmes këtyre parave të garantura nëpërmjet këtyre linjave të reja të kreditimit, t’i përdorte për të shlyer këtë masë të borxhit, dhe në këtë mënyrë do të reduktonim edhe peshën e borxhit publik, sepse kufiri i huamarrjes është i përcaktuar.
Pra huamarrja e re që qeveria duhet të bëjë gjatë një vitit është e kufizuar nga ligji i buxhetit dhe nuk mendoj që ka mundësi për t;u riparë sepse Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk është se ka dhënë ndonjë dakordësi që qeverisë i lejohet një rritje e huasë që mund të përdoret dhe për qëllimet e rimëkëmbjes, prandaj mbetet gjithmonë i njëjti kufizim, pra që qeveria nuk mund të rrisë më shumë kufirin e huasë, e defiçitit fiskal dhe për pasojë edhe të borxhit publik, pavarësisht se fondet vihen në dispozicion nga donatorë të ndryshëm.
Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
Lexo edhe:
Meka: Efektet në ekonomi nga Eurobondi, rreziku ndaj kursit të këmbimit
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.