Si shpenzuan bashkitë? – Raporti, sektorët që përfituan më shumë para
Një vit pas implementimit të reformës administrative territoriale, të ardhurat e bashkive nga tarifat vendore në vitin 2016 u regjistruan në 16.8 miliardë lekë ose 123.4 milion euro, me një rritje vjetore prej 27.5 milion euro.
Rritja e të ardhurave ka sjellë edhe rritje të peshës së investimeve publike në buxhetet vendore. Referuar raportit mbi Financat e Vetëqeverisjes Vendore në vitin 2016, të hartuar nga CO Plan, gjatë viti që lamë pas, shpenzimet e veta të bashkive për investime publike ishin rreth 10.2 miliardë lekë, 2.2 miliardë lekë ose 26 për qind më shumë se në vitin 2015. 61 bashkitë në vend investimet më të mëdha në 2016-ën, i kanë përqendruar në infrastrukturë.
Kështu, 59 për qind e investimeve shkuan për infrastrukturën publike, kryesisht në atë të transportit, 22 për qind në përmirësimin e shërbimeve publike vendore, 10 për qind në funksionet e administratës qendrore, 7 për qind për sistemin e arsimit parauniversitar, ndërsa vetëm 2 për qind e fondeve kanë shkuar për funksionet e kulturës, mbrojtjes sociale dhe shëndetësisë.
Raporti nxjerr si konkluzion se në vitin e parë të plotë të zbatimit të reformës administrative dhe territoriale, pavarësisht se ka një rritje të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore me 28 për qind, nuk evidentohet ulje e shpenzimeve administrative dhe të personelit, ashtu sikurse pritej për shkak të reduktimit të njësive të vetëqeverisjes vendore nga 373 njësi në vetëm 61.
Investimet e Bashkive
Infrastrukturë publike 59 %
Shërbime publike vendore 22%
Funksionet e administratës qendrore 10 %
Arsimi parauniversitar 7%
Kulturë, mbrojtje sociale, shëndetësi 2%
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.