Si të fitoni zbritje taksash duke investuar në pension privat?Flet për SCAN Magazine, Estela Koçi, Drejtore e Përgjithshme e “Credins Invest”
Zbatimi i nxitjeve fiskale në praktikë mbetet sfidë për tregun e pensioneve vullnetare. Çdo individ që përfshihet në fond pensioni vullnetar duhet të kërkojë zbatimin e zbritjes tatimore sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe udhëzimeve përkatëse, në mënyrë që kontributet që derdhen në fond t’i zbriten e të mos rrezikojë tatimin e dyfishtë në momentin e përfitimit të pensionit vullnetar.
Fondet e Pensionit Vullnetar në Shqipëri operojnë në kuadrin e një legjislacioni me standarte të huazuara nga vendet e Bashkimit Europian dhe monitorohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Ndër këto standarde ndërkombëtare, për të incentivuar rritjen e kursimit dhe për ta bërë këtë investim më të leverdishëm se çdo formë tjetër tradicionale kursimi, ligji i posaçëm Nr. 10197, datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar” ka huazuar lehtësira fiskale dhe përfitime të tjera.
Duke filluar nga 1 Janar 2015 këto lehtësi janë harmonizuar edhe në Ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” (i ndryshuar), në nenin 8/1 “Të ardhura të përjashtuara”.
Kështu, në bazë të ligjit “Për fondet e pensionit vullnetar”, specifikisht nenit 88 të tij, kontributi i bërë nga çdo anëtar në fond pensioni vullnetar zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi. Pra një individ që kontribuon në fond pensioni vullnetar paguan më pak tatim sesa një person që nuk paguan kontribute pensioni me të njëjtën pagë bruto.
Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribues tjetër në emër dhe për llogari të anëtarit të Fondit për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit. Ligji ka vendosur kufij si më poshtë:
a.Në rast se anëtari në Fond është nën 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200,000 lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
b.Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250,000 lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas shembullit 2, një individ me pagë mujore bruto 100,000 lekë, që kontribuon në fond pensioni vullnetar shumën mujore prej 5,000 lekë, kjo e fundit do t’ i zbritet përpara se paga t’i tatohet me tatimin mbi të ardhurat. Pra paga e tatueshme nuk është paga bruto prej 100,000 lekë por paga pasi është zbritur kontributi 5000 lekë, pra shuma 95,000 lekë. Individi shtyn në kohë tatimin mbi të ardhurat personale dhe kursen tatim vjetor 7,800 lekë.
Sipas shembullit 3, një individ me pagë mujore bruto 140,000 lekë, që kontribuon në fond pensioni vullnetar shumën mujore prej 10,000 lekë, do të ketë pagë të tatueshme vlerën 130,000 lekë, duke shtyrë tatimin vjetor prej 27,000 lekë.
(*) Në shembujt 4 dhe 5 janë marrë limitet maksimale të lejueshme të zbritjes fiskale: përkatësisht 200,000 leke/12 muaj = 16,667 lekë në muaj dhe 250,000 lekë/12 muaj = 20,833 lekë në muaj.
Udhëzimi nr. 23 dt 9.12.2014, faqet 24 dhe 28 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” detajon mënyrën e plotësimit të listëpagesës online.
Në faqen 28 të udhëzimit citohet: “Në rubrikën 15 “Paga bruto gjithsej (përjashtuar shumën e lekëve që zbritet nga paga dhe derdhet nga punëdhënësi në fondet e pensionit vullnetar si kontribut i punëmarrësit) – Shënohet paga bruto gjithsej nga punësimi që i është llogaritur punonjësit për muajin raportues. Nga kjo pagë përjashtohet shuma e lekëve që zbritet nga paga bruto gjithsej dhe derdhet nga punëdhënësi në fondet e pensionit vullnetar si kontribut i punëmarrësit.”
Një nxitje tjetër fiskale e fondit të pensionit vullnetar është se interesi dhe çdo e ardhur tjetër nga asetet ku investohet fondi i pensionit përjashtohen nga tatimi. Ky është një përfitim fiskal i konsiderueshëm në një afat kohor të gjatë, sikurse është jetëgjatësia e skemës së investimit për pension.
Krahasuar me çdo formë tjetër investimi të individit, si p.sh. investimi në depozitë apo investimi në tituj borxhi, ku interesi tatohet gjatë periudhës së investimit, kjo lehtësi fiskale e bën fondin e pensionit vullnetar kursimin më fitimprurës për individin.
Në bazë të ligjit në fuqi, për fondet e pensionit vullnetar në Shqipëri zbatohet sistemi EET (Exempt- Exempt-Taxed) – I përjashtuar-I përjashtuar-I tatuar në fund. Pra, përjashtohet kontributi në fillim, përjashtohet interesi nga investimet, tatohet i gjithë përfitimi kur plotësohen kushtet sipas ligjit për të përfituar pensionin vullnetar.
Në grafikun e mëposhtëm është ilustruar përparësia që ka produkti i fondit të pensionit vullnetar kundrejt investimeve të tjera, vetëm nga efekti i incentivave fiskale. Duke supozuar terma të njëjta për të dy tipet e investimeve (kohëzgjatja, norma e interesit), grafiku tregon se shuma e akumuluar në fondin e pensionit është më e lartë se shuma e akumuluar në investime të tjera, pasi:
- Shuma e kontributit është e zbritshme, kurse shuma e investimit në produkte të tjera është e tatuar më parë,
- Interesi gjatë kohës së investimit nuk tatohet në fond pensioni, në të tjera investime tatohet,
- Kur plotësohen kushtet sipas ligjit për të përfituar pensionin vullnetar, individi do të tatohet për të gjithë vlerën e përfituar. Shuma e akumuluar dhe e përfituar në fund rezulton më e lartë në fondin e pensionit vullnetar.
Ligji ka incentivuar nga pikëpamja fiskale edhe punëdhënësit për t’i nxitur të krijojnë skema profesionale pensioni për punonjësit e tyre.
Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore, të barabartë me 250,000 lekë për çdo punëmarrës, dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i zbritshëm, për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit.
Zbatimi i nxitjeve fiskale në praktikë mbetet sfidë për tregun e pensioneve vullnetare.
Çdo individ që përfshihet në fond pensioni vullnetar duhet të kërkojë zbatimin e zbritjes tatimore sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe udhëzimeve përkatëse, në mënyrë që kontributet që derdhen në fond t’i zbriten e të mos rrezikojë tatimin e dyfishtë në momentin e përfitimit të pensionit vullnetar.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.