Si të rrisësh në mënyrë efikase një biznes në fazat e para
Çdo sipërmarrës e di se nisja e një biznesi është shumë e vështirë. Por ajo që shumë nuk dinë është se rritja e biznesit është edhe më sfiduese.
Ajay Agarwal, drejtori i Bain Capital Venture, kompanisë që ka 60 miliardë dollarë asete në menaxhim në të gjithë botën, tregon eksperiencën e tij 20 vjeçare në punën me startup-e dhe në sipërmarrje kapitali.
Kalo nga të përshtaturit rreth inovacionit në të përshtaturit për përsëritshmërinë
Kompanitë në fazat e para janë gjithmonë duke punuar për inovacionin. Kjo reflektohet në strukturën e organizatës që është shumë e sheshtë; në kulturën kaotike me dëshirën për të provuar shumë gjëra për të parë se çfarë funksionon; dhe me punonjës që janë shumë të zgjuar dhe që duan të punojnë me probleme të vështira.
Kur një startup fillon të rritet, themeluesi duhet të gjejë një mënyrë për të zhvendosur fokusin nga inovacioni tek përsëritshmëria dhe shkallëzueshmëria.
Çfarë nënkupton kjo? Themeluesit duhet të caktojnë punonjës që të merren me integrimin, implementimin e produktit dhe trajnimin e klientëve. Kompanitë duhet të krijojnë procese trajnimi që lejojnë punonjësit të mësojnë shpejt, pa patur nevojë të mbështeten drejtpërsëdrejti tek themeluesit. Është e nevojmë gjithashtu të vendoset standarde për matjen dhe raportimin në kompani të punës së çdo punonjësi, që edhe ai të kuptojë nëse po bën progres.
Krijo një ekip drejtues
Shumica e themeluesve presin shumë kohë para se të ngrenë një ekip me drejtues. Sa më shumë rritet startup-i, aq më shumë punonjës ka, ndaj duhen më shumë shtresa menaxhimi. Rekomandimi i Agarwal është që të promovohen ata punonjës të hershëm, të cilët kanë shfaqur dëshirën dhe cilësinë për të menaxhuar.
Themeluesit duhet të fillojnë të zgjerojnë rrjetin edhe nga jashtë kompanisë, për të kuptuar kush do të jenë drejtuesit e ardhshëm të shitjeve, inxhinierisë apo marketingut.
Përcakto dhe mbaj një kulturë kompanie
Themeli kryesor i çdo startup-i të mirë është kultura që reflektohet në vlerat e kompanisë dhe njerëzit të cilët i mbartin këto vlera. Është e rëndësishme që të përcaktoni një proces ku këto vlera të implementohen tek çdo punonjës i ri, në mënyrë që pas disa kohësh kompania të mos duket si e huaj për themeluesit dhe punonjësit e hershëm.
Është e rëndësishme që njerëzit që merren në punë, të jenë edhe të përshtatshëm me këtë frymë dhe kulturë.
Të gjitha startup-et duan të rriten dhe me rritjen vijnë edhe disa efekte anësore. Por shumë nga këto efekte mund të menaxhohen me sukses përmes planifikimit në kohë dhe menaxhimit proaktiv. Duke i adresuar disa nga problematikat e ardhshme në këtë fazë, një themelues mund të shtojë gazin dhe të përshpejtojë procesin e rritjes së kompanisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.