Si u kremtua Pavarësia në 1937, detajet e programit të 25 vjetorit! Nga krijimi i Panteonit, kërkimi i eshtrave të Skënderbeut, konkursi për himnin e stacioni i ri radiofonik
Pavarësia e Shqipërisë është kremtuar me në mënyrë të ndryshme ndër vite. Një nga kremtimet e para më të mëdha ka qenë ai i 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë në vitin 1937.
Programi i festimeve të 25 vjetorit të pavarësisë parashikonte organizimin e një serë aktiviteteve të ndryshme në periudhën 20 nëntor deri me 28 nëntor.
Referuar programit të botuar në revistën “Leka” të vitit 1937, për festimet ishin ngritur komisione të posaçme. Në listën e aktiviteteve të planifikuara për t’u realizuar për rastin e 25 vjetorit janë organizimi i ekspozitave të ndryshme dhe i manifestimeve folkloristike, konferenca të ndryshme nëpër qytete të ndryshme, një konkurs për himnin e ri të flamurit ku fituesi merrte 2 mijë franga ari, një ekspozitë arti me seksion fotografik, koncerte me muzikë të huaj e shqiptare, shfaqje teatrore, botime të ndryshme historike e studimore për Shqipërinë.
Po ashtu, në programin e 25 vjetorit të pavarësisë ishte edhe zbulimi i monumentit të Skënderbeut, riemërtimi i shkollave duke u vendosur emra atdhetarësh që nuk jetonin më dhe krijimi i Panteonit Kombëtar në kryeqytet.
Po ashtu, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë parashikohej shpallja e monumenteve kombëtare për kështjellat e Shqipërisë, ndërtesën e Kongresit të Lushnjes, varrin e Ismail Qemalit, mauzoleumin e Nënës Mbretëreshë dhe për kishat e xhamitë e vendit me vlerë historike dhe arkeologjike.
Në program parashikohej gjithashtu që në Lezhë të kërkohej varri i Skënderbeut me qëllim që në rast se gjendeshin eshtra të silleshin në Tiranë për t’u vendosur në Panteonin Kombëtar dhe në Lezhë të ngrihej një përmendore e përshtatshme. Nëse nuk gjendeshin eshtra, atëhere duhej të sillej balta e vendvarrimit për t’u vendosur në Panteon.
Programi parashikonte gjithashtu të zhvilloheshin parade festive e kampionate sportive në disiplina të ndryshme. Në këtë kuadër, ishte parashikuar edhe një kampionat futbolli ku fituesi të merrte kupën e 25 vjetorit të Pavarësisë.
Një event tjetër u parashikuar ishte inagurimi i stacionit radiofonik shqiptar ku Ahmet Zogu do t’i drejtohej edhe me një mesazh të rastit popullit shqiptar.
Po ashtu, ishte parashikuar edhe themelimi i një arke për përkrahjen shoqërore dhe i atij që do të emërtohej “qarku i gjakut shqiptar”.
Ndërkohë, me 28 nëntor parashikohej që në të njëjtën orë kur u ngrit flamuri në Vlorë në 1912, të ngrihej flamuri në të gjithë Shqipërinë.
Kreshnik KUÇAJ/ Portali ekonomik SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.