Siguria dhe cilësia e objekteve, KLSH: “Instituti i Ndërtimit jo efektiv, punonjësit jashtë profilit e pa eksperiencë”
Një auditim i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi garantimin e cilësisë së ndërtimit të objekteve në vend arrin në përfundimin se Instituti i Ndërtimit nuk është në gjendje të përmbushë këtë detyrë, ndërkohë që ka në radhët e tij punonjës jashtë profilit e pa eksperiencë.
Scan ka zbardhur raportin e Auditimit të KLSH mbi këtë institucion, i cili arrin në përfundimin se veprimtaria e Institutit të Ndërtimit për të ndikuar në sigurimin e cilësisë në objektet ndërtimore nuk ka qenë efektive. Çështjet e sigurisë së cilësisë për veprat e ndërtimit duhet t’i besohet një institucioni kompetent dhe të garantohet me ligj, I cili do të ishte i domosdoshëm për ngritjen e këtij institucioni. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duke mos u angazhuar në plotësimin e kuadrit ligjor mbi organizimin dhe funksionimin e Institutit të Ndërtimit, i cili prej 15 vjetësh funksionon në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Punëve Publike nr. 225, date 29.06.2014 “Për Krijimin e Institutit e Ndërtimit”, ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor që do të ndikonte në sigurimin e cilësisë së objekteve të ndërtimit, nëpërmjet kontrollit të cilësisë së produkteve dhe dhënies së oponencave teknike për objektet ndërtimore.
“Mungesa e një stafi të kompletuar teknikisht, rekrutimi i punonjësve jashtë profili dhe pa eksperiencën e domosdoshme, si dhe mungesa e një laboratory të paakredituar, ka sjellë dhënien e oponencave jocilësore dhe mungesën e kontrollit të produkteve ndërtimore, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi që siguron të ardhurat për vetfinancim” thekson në raport KLSH.
Baza ligjore e funksionimit të Institutit të Ndërtimit është e pamjaftueshme. Krijimi i këtij institucioni (me objekt kryesor të punës, një fushë shumë të rëndësishme),me një urdhër të ministrit, si dhe funksionimi i tij në zbatim të një rregulloreje të miratuar vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm, krijojnë mundësinë e mosfunksionimit normal të IN.
“Materiali i hartuar për rregullat dhe hapat që ndiqen gjatë kryerjes së oponencës teknike është i pa detajuar dhe nuk arrin t’i shërbejë dhënies së një oponence teknike cilësore dhe profesionale, lidhur me projektet e hartuara, për t’i shërbyer sa më mirë garantimit të sigurisë së objekteve ndërtimore”, konkludon në raport Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.