Siguria private, Tahiri: Plotësoni standardet! Jo paga poshtë 33000 lekëve
Një muaj kohë kanë kompanitë private të sigurisë për të garantuar standardet që kërkon koha. Këtë afat e ka dhënë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili theksin e ka vënë tek pagesat që i bëhen policëve privatë, të cilët aktualisht nuk janë në përputhje me ligjin.
Aktualisht një polic privat paguhet 18 mijë lekë në muaj, ndërkohë që ligji parashikon një pagë në vlerën e 33000 lekë në muaj. Sipas Tahirit ka policë, të cilët paguhen vetëm 40 për qind të pagës së deklaruar.
Një problem tjetër që ngriti ministri i Brendshëm kishte të bënte me burimet njerëzore, të cilët janë të lidhura ngushtë me kontributin që jep kjo polici në sigurinë publike. Aktualisht, janë mbi 8900 policë privatë në vendin tonë, si dhe janë mbi 2000 objekte që janë në përgjegjësinë e tyre për ruajtjen dhe sigurinë.
Entela Barjamaj/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.