Siguria ushqimore, AKU: Forcim Kodit Penal, tani kriminalizohet vetëm falsifikimi i markave
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të propozojë ndryshime në Kodin Penal, të cilat synojnë ashpërsimin e ligjit në drejtim të sigurisë ushqimore. Përfaqësues të këtij dikasteri thanë për TV SCAN se aktualisht ka vështirësi në kriminalizimin e çështjeve që lidhen pikërisht me çështjet e sigurisë së ushqimit.
Të njëjtin përfaqësues shtuan se shumica e çështjeve penale që lidhen me fushën e sigurisë ushqimore kriminalizohen vetëm për falsifikim markash dhe patentash, por kjo është shumë pak.
Deri më tani AKU ka kryer verifikime, ndërkohë që pritet të ndërmerret edhe vlerësimi i riskut, i cili do të nxjerrë në pah sesa kjo pjesë e Kodit Penal nuk ka funksionuar e më pas do të bëhen edhe propozimet konkrete për ndryshimin e tij, duke synuar penalizime për personat që prodhojnë apo importojnë produkte ushqimore të pasigurta.
Aktualisht, neni 288 i Kodit Penal parashikon se: Importimi, ruajtja dhe shitja e ushqimeve, pijeve dhe lëndëve të tjera, e barnave të rrezikshme ose të dëmshme për jetën e shëndetin, si dhe futja në prodhim e kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve, kur nga këto vepra ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, dënohen me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet.
Sipas të njëjtit nen, kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet. Sipas përfaqësuesve të AKU, ndryshimet ligjore pritet të realizohen brenda 300 ditësh, periudhë që përkon edhe me përfundimin e vlerësimit të riskut.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.