Siguria ushqimore – FAO, asistencë Shqipërisë, nënshkruhet marrëveshja
Universiteti Bujqësor i Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi, e cila ka në fokus sigurinë ushqimore në vendin tonë.
Në këtë kuadër, përfaqësuesi i FAO-s në Shqipëri, gjatë një vizite dy ditore në vend, zhvilloi një takim me rektorin, Bahri Musabelliu, ku u dakordësua që bashkëpunimi mes tyre do të ndihmojë të sjellë kontributin e tyre të përbashkët më afër prioriteteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe zbatimit të kërkesave të axhendës për integrimin europian.
Bashkëpunimi dhe lidhja e Ministrisë me botën akademike do të rrisë potencialin për analizat dhe hartimin e politikave bujqësore si dhe fokusimin e përpjekjeve në arritjen e standardeve të larta dhe rritjen e impaktit te fermerët, pasi ushqimi dhe bujqësia përbëjnë një nga kapitujt kryesorë në përmbushjen e kritereve për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Ndërkaq, marrëveshja e nënshkruar do të ketë në fokus interesin e përbashkët për të mbështetur përpjekjet kombëtare në përmbushjen e Axhendës së Zhvillimit 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për arritjen e sigurisë ushqimore, përmirësimin e ushqyerjes dhe promovimin e bujqësisë së qëndrueshme.
Nënshkrimi i saj që do të formalizojë bashkëpunimin institucional në një nivel të ri përmes konsultimeve, koordinimit të punës, asistencës reciproke dhe veprimeve të përbashkëta në interes dhe në përputhje me objektivat dhe parimet e FAO-s dhe UBT-së.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.